Protesta e Policisë së Kosovës. Foto: Adelina Ahmeti/KALLO.com
Mijëra policë u lënduan gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, kryetari sindikatës jep detaje
Një protestë e zyrtarëve të Policisë së Kosovës, që sipas kryetarit të sindikatës policore është gjithëpërfshirëse, u mbajt sot pranë objektit të Qeverisë së Kosovës.
Aty u prezantuan edhe 14 kërkesat që kanë pjesëtarët e PK-së e që presin nga qeveria e vendit që t’i plotësojnë ato.
Në mesin e këtyre kërkesave u fol edhe për invaliditetin e pjesëtarëve të Policisë, të cilët u lënduan gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.
“Kërkojmë që të krijohet një fond apo caktimi i një shume të mjeteve financiare për shkallën e invaliditetit” – tha kryesindikalisti i Policisë, Imer Zeqiri.
I pyetur nga KALLXO.com se sa është numri i pjesëtarëve që kanë pësuar lëndime gjatë kryerje së detyrave të tyre që nga themelimi i PK-së, Zeqiri tha se janë mijëra raste.
“Që nga themelimi i Policisë së Kosovës deri më tani, po flasim për 24 vite, kemi mbi 4 mijë e 700 raste të lëndimeve gjatë kryerjes së tyre kanë mbetur me invaliditet të përhershëm dhe nuk ka një sigurim apo një garantim të shpenzimeve apo mirëqenies së tyre” – tha ai.
Në protestën e sotme, e dyta me radhë që po mbahet, kryetari i Sindikatës së Policisë prezantoi 14 kërkesat që kanë pjesëtarët e PK-së.