VIDEO - Ariana Musliu Shoshi i thotë 'Zip it' deputetes së LVV-së, Arjeta Fejzës

Peticioni i Sindikatës së Policisë së Kosovës për pakënaqësitë ndaj kushteve që i kanë pjesëtarët e PK-së, i dërguar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, ka përplasur verbalisht deputetet e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi dhe atë të Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza.

Deputetja Musli-Shoshi ka kërkuar nga Sindikata e Policisë që të tregojnë se çfarë “përfitime dhe nënçmime” kanë marrë nga kryeministri Albin Kurti që nga marrja e detyrës.

“Mua sot më intereson me ditë konkretisht, hiç nuk po kërkojmë më herët, mu po më intereson që nga Banjska, pra nga dita kur ka ndodhë sulmi në Banjskë ku ju edhe një herë keni dëshmu që ju jeni elita jonë, jeni ata të cilët na mbroni ne. Më intereson me ditë se cili është dallimi prej ditës që Albin Kurti është ardhë kryeministër deri më sot, çfarë përfitime keni marrë dhe çfarë nënçmimi keni marrë nga kjo qeveri. Boll ma me fjalë, boll ma me farsa, njerëzit duan veprime konkrete që i prekë jetën e tyre, që e prekë profesionalizmin e tyre”- ka deklaruar Musliu-Shoshi.

Deputetja Fejza në fjalën e saj akuzoi Musliu-Shoshin se “në secilën mbledhje të komisionit e merr fjalën edhe gjuan një mori ofendimesh”.

“Ariana zakonisht në secilën mbledhje të komisionit e merr fjalën edhe i gjuan një mori ofendimesh edhe asnjëherë nuk fokusohet tek tema, kurrgjë përmbajtjesore nuk nxirret prej asaj, përveç ofendimeve të skajshme” – tha deputetja e LVV-së, Arjeta Fejza.

Ndërkaq, Musliu-Shoshi iu drejtua Fejzës me fjalët “zip-it” apo “mbylle gojën” nga gjuha angleze.

“Arjetë kurrgjë nuk kërkova prej teje, as analizë. Të lutem mos u mundo me bo emër duke u marrë me mua. Të lutem zip it se po du me dëgju nga sindikata, të lutem”- u shpreh Musliu-Shoshi.

“Ti që flet për respekt, këqyre me çfarë gjuhe po drejtohesh kolegëve këtu në Kuvend. Për ata që se dinë është “Mbylle gojën”, ky është niveli i respektit dhe i konsideratës” – ishte kundërpërgjigja e deputetes Fejza.

Sindikata e Policisë së Kosovës më 19 korrik të vitit të kaluar patën njoftuar për dorëzimin e një peticioni në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Peticioni ishte organizuar nga ana e Sindikatës së Policisë, të cilët kanë thënë se 5 mijë e 623 nga gjithsej sa ishin asokohe 9 mijë e 8 zyrtarë të punësuar në Policinë e Kosovës kanë nënshkruar këtë peticion.

“Shumica e të punësuarve, si nga zyrtarët policorë ashtu edhe nga stafi civil, në Policinë e Kosovës janë të pakënaqur me kushtet e cekura në Peticion” – thuhej në njoftimin e Sindikatës.

Ky njoftim që tregon për punën që kryejnë policët, fliste edhe se si zyrtarët policorë me nënshkrimin e tyre kanë treguar se janë të pakënaqur me Ligjin e ri të Pagave, me shtesat për rrezikshmëri në punë, shtesat për punë të veçantë, klasifikimin e koeficienteve.

Zyrtarët policorë, sipas sindikatës po ashtu janë të pakënaqur me zbritjen e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para.

Nga peticioni u tha se po kërkohen tri paga përcjellëse për të pensionuarit si dhe shujta ditore, shpërblimi për fundvit në vlerë të një page, sigurimi shëndetësor dhe po ashtu sigurimi jetësor.

Peticioni gjithashtu ishte nënshkruar edhe për Ligjin për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve të PK-së.

Sindikata kishte thënë se deri më 19 korrik 2023 në kryerje të detyrës kanë humbur jetën 23 zyrtarë policorë, kanë vdekur në detyrë 322 zyrtarë, 4 mijë e 753 raste janë të lëndimeve të zyrtareve policorë në kryerjen e detyrave zyrtare, 319 zyrtarë të sëmurë në detyrë dhe po ashtu aktualisht me sëmundje të veçanta shëndetësore janë 528 zyrtarë.

Në njoftim ishte thënë se deri atëherë kanë qenë 2 mijë e 285 pjesëtarë të policisë të cilët kanë dhëne dorëheqje vullnetare nga PK.

“Duke u bazuar në pakënaqësitë e të punësuarve në Polici, të shprehur edhe përmes nënshkrimit të peticionit, Sindikata kërkon nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës dhe nga Komisioni që të ngritin këtë çështje me qëllim të përkrahjes dhe përmirësimit të kushteve dhe mirëqenies të të punësuarve në Polici” – thuhej tutje.

Po ashtu ishte thënë se kërkohet nga të gjitha organet shtetërore të Kosovës që të aprovohen kërkesat të cilat u tha se janë jetike për përmirësimin e mirëqenies së të punësuarve në Polici.

“Sindikata është e gatshme te bashkëpunoj dhe bisedoj për të gjitha këto, me qëllimin më të mirë që këto kërkesa të realizohen ne kohe optimale me mirëkuptim dhe ne rrugë institucionale” – thuhej në këtë peticion që u dorëzua në Kuvend.

Sindikata gjithashtu kishte kërkuar që të ruhen dhe të mbrohen të dhënat personale të të nënshkruarve.