Logoja e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Autor: Albian Gagica.

Simbolika e logos së 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës

Albian Gagica është dizejnatori i logos për shënimin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe 25- vjetorit të Epopesë së UÇK-së.  

Pavarësisht angazhimeve profesionale, dizenjatori Gagica nuk ka mundur të mos pranojë ftesën për të krijuar këto logo, të cila po shoqërojnë gjithë aktivitetet që po mbahen për shënimin e përvjetorit të 15-të të pavarësisë.  

Logot janë dizajnuar thjeshtë, por janë moderne, e lehtë të identifikueshme, me karakteristika që veçojnë shtetin e Kosovës.  

Në një prononcim për KALLXO.com, dizejnatori Gagica thotë se me kënaqësi e pranoi ftesën nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), për të dizajnuar logot për shënimin e përvjetorëve më të rëndësishëm të shtetit.  

Gagica shton se logoja për shënimin e 15 vjetorit të pavarësisë është e thjeshtë, moderne dhe lehtë identifikuese.   

“Karakterizohet me numrin 15, që shënon këtë përvjetor të pavarësisë se Kosovës, me ngjyra që përcjellin energji të mirë dhe secila prej tyre ka domethënie. Ngjyra rozë simbolizon rolin e gruas në shoqërinë tonë. E katërta dhe e arta janë ngjyrat e flamurit të Kosovës. Në qendër janë të vendosura ngjyrat kuq e zi që na identifikojnë si shqiptarë dhe që jemi një kudo dhe e fundit është ngjyra e gjelbër, e cila identifikon malet e bukuritë e shumta të Kosovës dhe të ardhmen e cila duhet të jetë e gjelbër”- thotë ai.  

Albian Gagica. Foto: AG.

Ndërsa thotë se logon për 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ka punuar bashkë me shokun e tij, Takin.  

 “Kjo më tepër se logo është një grafikë ku shihet shqiponja dy krenare në hapësirën negative të numrit 25, ngjyrat  janë kuq e zi edhe në qendër të saj janë tri figurat legjendare të familjes Jashari. Natyrisht, punimi i kësaj grafike ka qenë me emocional dhe organik, mirëpo edhe e kemi punuar  me përgjegjësi të madhe dhe jemi munduar  t’i nderojmë heronjtë tanë kombëtar”- ka thënë ai.  

Albian Gagica është nga Prishtinë, aktualisht jeton në Amerikë. Ai është autor  një sërë veprash, si logo, posterë e grafia në të gjitha mediume dhe është drejtor artistik në një kompani në Silicon Valley.  

Logoja e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Autor: Albian Gagica.
Logoja e 25-vjetorit të epopesë së UÇK-së. Autor: Albian Gagica.