Ilir Shaqiri e Shkurte Fejza këndojnë në Kuvendin e Kosovës këngë për Adem Jasharin

Para se të fillonin liderët e shtetit dhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare të mbanin fjalime për heroizmin e Familjes Jashari, para foltores së Kuvendit të Kosovës, u paraqiten ndaras këngëtarët Ilir Shaqiri dhe Shkurte Fejza.

Në seancën solemne që u organizua më 05.03.2024 për nder të Epopesë së UÇK-së, i pari e interpretoi këngën “Serish vjen marsi”, ndërsa e dyta këngën “Mora fjalë”.

Të dyja këto këngë i kushtohen komandantit legjendar Adem Jashari.

Dhe, para interpretimit të tyre, deputetët e Kuvendit të Kosovës në nderim për të rënët e familjes Jashari por edhe për të gjithë të rënët e luftës së fundit në Kosovë, mbajtën një minutë heshtje.

Kjo seancë solemne ka filluar me intonimin e himnit shtetëror të Kosovës dhe himnit kombëtar shqiptar të interpretuar nga pjesëtarë të Filarmonisë së Kosovës.

Në seancë prezentë janë Rifat Jashari, presidentja Vjosa Osmani, ish-presidenti Fatmir Sejdiu, ambasadorë e të tjerë.

Më 5 mars në Kosovë ka filluar Epopeja  e UÇK-së, që këtë vit shënon 26 vjetorin e rënies së familjes heroike Jashari në Prekaz.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar disa herë nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar 1998. Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethimi dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.