Blerta Deliu-Kodra n senc

Deliu-Kodra: Përjashtimi i Komunës së Skenderajt nga Këshilli organizativ për Epopenë e UÇK-së, i pafalshëm

Deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu – Kodra, e sheh si shqetësuese që Komuna e Skenderajt u përjashtua nga Këshilli Organizativ për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në seancën plenare të mbajtur më 07.03.2024, ajo ka thënë se ky përjashtim është i pafalshëm.

“Meqë jemi në kuadër të ditës së fundit të Epopesë shpreh shqetësimin për Këshillin Organizativ, i cili edhe kësaj radhe dëshmoi që më tepër është i interesuar për hakmarrje ndaj një rajoni sesa për të unifikuar e për të përçuar mesazhin e solidaritetit e sakrificës së atyre që kanë rënë për këtë ditë të rëndësishme. Është e pafalshme që është përjashtuar Komuna e Skenderajt nga Këshilli organizativ i udhëhequr nga Qeveria dhe shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”- ka thënë Deliu-Kodra, në deklarimet jashtë rendit të ditës.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, që njëherësh është edhe kryesues i Këshillit organizativ të formuar nga Qeveria e Kosovës.

Ai ka hedhur poshtë pretendimet e deputetes Kodra – Deliu, duke thënë se i kanë adresuar kërkesa dhe i kanë bërë thirrje Komunës së Skenderajt për bashkëpunim në organizimin e Epopesë.

“Në vendimin për themelim parashihet edhe krijimi i grupeve të veçanta. Kemi kontaktuar edhe komunën e Skenderajt për të bashkëpunuar në aktivitetet dhe kemi ofruar gjithë gatishmërinë tonë për bashkëpunim. Kërkesa, e-mail, thirrje, mesazhe të panumërta drejtuar zyrtarëve të Komunës së Skenderajt, por për fat të keq thirrjet tona kanë mbetur pa përgjigje”- është shprehur ministri i Kulturës.

Rrjedhimisht, sipas tij, Komuna e Skenderajt nuk ka pranuar të përfshihet.

“Dëshmitë e kërkesave, thirrjeve edhe i publikojmë, por po shpresoj që ky diskutim mbyllet këtu pa e politizuar më tepër”- ka thënë ai.

Komuna e Skenderajt ka thënë më 29.02.2024 se është përjashtuar nga Këshilli organizativ për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas Komunës, kjo ka ndodhur për herë të parë.

Në këtë reagim është publikuar vendimi i Qeverisë së Kosovës për themelimin e Këshillit shtetëror, ku nuk shihet Komuna e Skenderajt.

Komuna e Skenderajt thotë se është përjashtuar nga këshilli organizativ për Epopenë e UÇK-së