Deputetet e LVV-s, LVV,

Grupi Parlamentar i LVV-së. Foto: Kuvendi i Kosovës

Grupet Parlamentare në Kuvend nderojnë familjen Jashari dhe të rënët për liri

Përfaqësues të Grupeve Parlamentare në Kuvendin e Kosovës kanë marrë fjalën për të nderuar veprën e familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve në Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, deputetja Shqipe Selimi tha se lavdia, madhështia dhe guximi sublim i Jasharajve do të kujtohet me krenari.

“Lavdia madhështia dhe guximi sublim i Jasharajve do të kujtohet me zemër plotë e krenari. Shqiptarët do të kujtojnë ngjarjen që shënon pikën me të lartë të vetëdijes kombëtare. Ndonëse vitet kalojnë nderimi për Epopenë e UCK-së nuk është zbehur, përkundrazi. Ne kemi për detyrë t`i nderojmë dhe kujtojmë me respekt”- tha ajo.

Ndërsa kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se lufta e komandantit Adem Jashari shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme në tërë historinë e kombit shqiptar.

Sipas tij, lufta heroike e familje Jashari është kufiri që e ndan epokën e durimit nga epoka e kryengritjes.

“Lufta heroike e familjes Jashari është kthesa ku merr kahje e tërë historia e mëpastajshme e Kosovës dhe popullit shqiptar”- tha ai.

Në emër të LDK-së, deputeti Anton Quni tha se bota njeh shumë histori të sakrificës por shembulli i familjes Jashari është shembull për të gjithë njerëzimin.

“Zoti ishte dëshmitar i luftës së drejtë për liri. Sot këtu e nga këtu kurdo e kudo ne përkulemi para veprës hyjnore të komandantit legjendar Adem Jashari. Sot ne jemi faqebardhët e fatlumët e lirisë e pavarësisë sonë”- tha ai.

Edhe kryetari i Grupit Parlamentar – AAK-së, Besnik Tahiri ka nderuar heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari.

Ai ka thënë se datat 5, 6 dhe 7 mars shënojnë kthesë të madhe për Kosovën.

“Shtëpia e familjes Jashari ishte kthyer në kuvendin e shumë takimeve të luftëtarëve për liri. Aty vinin nga të gjitha trojet shqiptare, ky vend ishte kthyer në qendrën e rezistencës. 5, 6, dhe 7 marsi nuk mund të themi se janë thjesht data, janë burim shpirtëror për lirinë”- tha ai.

Ndërsa nga Grupi Multietnik, deputeti Enis Kervan ka thënë se nderojnë sakrificën e të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për Kosovën, lirinë dhe paqen.

Më 5 mars në Kosovë ka filluar Epopeja  e UÇK-së, që këtë vit shënon 26 vjetorin e rënies së familjes heroike Jashari në Prekaz.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar disa herë nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar 1998. Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethimi dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.