Rifat Jashari përlotet nga fjalimi i mbesës së tij, Besartës

Vajza e heroit Hamëz Jashari, Besarta, ka mbajtur më 06.03.2024 një fjalim në akademinë e shënimit të 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ajo ka ndarë copëza nga përjetimet e saj për datat 5, 6, dhe 7 mars 1998 si e mbijetuara e vetme e sulmit nga forcat serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz.

Besarta gjatë fjalimit ka folur për axhën e saj, Rifat Jasharin, i cili është përlotur gjatë fjalimit të saj.

Ajo ka thënë se Rifat Jashari në atë kohë krahas aktivitetit kombëtar ka marrë përsipër barrën e mirëqenies së familjes, duke jetuar në mërgim.

“Ai ka qenë shtylla ekonomike e familjes dhe organizmit të parë të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, andaj faleminderit mixhë!”- u shpreh ajo.

Besarta Jashari tutje ka përmendur gratë e familjes Jashari për të cilat tha se janë shembull edhe sot për sakrificën e përkushtimin e tyre për familjen.

Fjalimin e Besarta Jasharit mund ta ndiqni në videon e publikuar nga mediumi publik, RTK.

Në akademinë përkujtimore ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili në fjalën e tij tha se “Ndonëse fjalët i pasojnë mendimet dhe i paraprijnë veprat, fjalët janë gjithmonë të pamjaftueshme për t’i përçuar si mendimet ashtu edhe veprat. E në rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kjo bëhet pamundësia vet, andaj edhe kënga “Mora fjalë” tregon edhe kufijtë e fjalës.”

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin rrethuar disa herë nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe.

Më 30.12.1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat serbe e kanë kryer në muajin janar 1998. Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar.

Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Në sulmin e tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, janë vrarë 55 persona, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të komandantit legjendar Adem Jasharit. Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethimi dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila kishte mbijetuar në rrënojat e shtëpive të sulmuara me gjithfarë armatimi nga forcat serbe dhe kishte parë rënien e gjithë anëtarëve të tjerë të familjes së saj.