Konjufca: Sakrifica e Jasharëve na ka ngritur kombëtarisht në nivelin më të lartë të dinjitetit dhe krenarisë

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se themelet e lirisë së Kosovës rrinë të patundura mbi gjakun e dëshmorëve.

Në seancën solemne për nder të Epopesë së UCK-ë, ai tha se “sakrifica madhështore e familjes  Jashari na ka ngritur kombëtarisht në nivelin më të lartë të dinjitetit dhe krenarisë”.

“Jasharët, në krye me Ademin e Hamzën, me bacin Shaban e të gjithë familjarët tjerë, gra e burra, pleq e fëmi, u sakrifikuan kolektivisht në luftë të drejtpërdrejtë për liri. Ata kolektivisht e zbatuan parimin ideal të jetës- liri a vdekje. Kur kombi arrin ta përcaktojë këtë princip, rënia bëhet liri e liria bëhet domosdoshmëri. Liria është si ajri, por ajo nuk rrin pezull. Ajo ngrihet mbi themele të forta, kurse rrënjët e saj shtrihen thellë në tokën e të parëve tanë. Siç thoshte Hamza ‘ne do të jemi këtu, sepse nuk kemi ku të shkojmë, guri peshon në tokën e vetë’”- tha Konjufca.

Sipas tij, rënia heroike e Jasharëve i dha jetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurse ushtria e Kosovës e njësuar me popullin e çliroi atdheun nga Serbia.

“Sa të ketë komb shqiptar mbi dhe, secili do të vijë në Prekaz dhe do të frymëzohet aty ku u ngjiz liria”- tha Konjufca.

Më 5 mars në Kosovë ka filluar Epopeja  e UÇK-së, që këtë vit shënon 26 vjetorin e rënies së familjes heroike Jashari në Prekaz.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar disa herë nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar 1998. Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethimi dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.