Sibel Halimi, kandidate e LDK-së për kryetare të Komunës së Ferizajt

Sibel Halimi do të jetë kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetare të Komunës së Ferizajt.

Kështu ka njoftuar dega e kësaj partie në Ferizaj.

Kjo parti ka thënë se me Sibel Halimin do të ndryshojë qasja e pushtetit në këtë komunë.

“Dega e LDK-së në Ferizaj, në mbledhjen  e mbajtur para pak çastesh, pas një diskutimi të frytshëm e me procedurë demokratike, unanimisht vendosi që për Kryetare të Komunës së Ferizaj, të kandidojë zonjën Sibel Halimi, anëtare e Kryesisë dhe zëdhënëse e Lidhjes  Demokratike të Kosovës. Me intelektualen e veprimtaren Sibel Halimi do të ndryshoj qasja për pushtetin i cili me fitoren e saj do ti kthehet qytetarëve.  Është nder e respekt për ferizajasit që për herë të parë në zgjedhje lokale për Kryetare të Komunës, ndonjë parti kandidon një femër. Me këtë vendim Lidhja Demokratike e Kosovës po bën si gjithherë edhe një histori të re. Për këtë është garancë edhe biografia e saj e pasur dhe e pakontestuar.  Dega e LDK-së në Ferizaj dhe strukturat e saj janë mobilizuar plotësisht për ti fituar këto zgjedhje e për ta udhëhequr Komunën, ashtu siç e presin dhe e dëshirojnë kthimin e saj të fuqishëm ferizajasit”, thuhet në njoftimin e degës.

Sibel Halimi aktualisht mban pozitën e zëdhënëses së LDK-së.

LDK deri më sot ka prezantuar kandidatët për kryetarë të disa komunave për zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021.