Foto: Facebook/Sibel Halimi

Abdixhiku prezanton aderimin e Sibel Halimit

Kryetari i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka paraqitur aderimin e ri në këtë parti.

Abdixhiku përmes një postimi në Facebook bëri të ditur se nga dje aktivistja Sibel Halimi është pjesë e LDK-së.

“Sibel Halimin e njoh si aktiviste e veprimtare të dalluar për të drejtat e njeriut e në veçanti për të drejtat e grave. Me angazhimin e saj tash e mbi një dekadë, ajo ka arritur që çështjet me rëndësi për barazi e avancim të gruas kosovare t’i vë në fokus të debatit publik. E kam admiruar gjithnjë për përkushtimin e madh”, ka shkruar ai.

Ai ka shtuar se Sibel Halimi është doktorante në Departamentin e Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës me temën “Trupi si konstrukt shoqëror: Drejt sociologjisë së trupit në Kosovë”, si dhe si ligjëruese në Fakultetin Filozofik. Ajo ishte edhe anëtare e bashkudhëheqëse e Shoqatës së Filozofëve në Kosovë.

“Sibeli merret edhe me letërsi e publicistikë. Si sociologe ajo boton në vazhdimësi artikuj që trajtojnë problemet e shoqërisë kosovare dhe opsionet për tejkalimin e tyre. Deri tashti ka të botuar përmbledhjen eseistike “Shoqëri në Alarm” (2017) si dhe tre libra me poezi: “Kopshti i Mëkateve” (2002), “Qenia nuk banon këtu” (2013) dhe “Me ekzistu është vetë kuptimi” (2020). Sibel, mirë se vjen!”, ka shkruar në fund ai.

Dje, Kryesia e LDK-së ka zgjedhur anëtarët e rinj të saj që përbëhet nga 33 anëtarë dhe pjesë e saj është edhe Sibel Halimi.

Lista e plotë e Kryesisë së re të LDK-së