Çmimet e pronave të banimit vazhdojnë trendin e rritjes
Tregu i pronave të banimit në Kosovë vazhdoi trendin e rritjes në tremujorin e parë të vitit 2026, me çmime 5,3% më të larta krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025, dhe 2,4% krahasuar me tremujorin e katërt 2025.
“Indeksi i Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB) në Kosovë u rrit me 5,3 % në tremujorin e parë (TM1) 2026, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2025. Ndërkaq, krahasuar me tremujorin e katërt (TM4) 2025, çmimet e pronave të banimit shënuan rritje prej 2,4 %.”-thuhet në komunikatën e ASK-së.
Sipas ASK-së, në rajonin e Prishtinës, çmimet e pronave të banimit u rritën me 1,4 % në tremujorin e parë 2026, krahasuar me tremujorin e parë 2025.
Ndërsa në rajonet tjera çmimet u rritën për 12.3% në tremujorin e parë të këtij viti
“Në rajonet e tjera të vendit, çmimet e pronave të banimit u rritën për 12,3 % në tremujorin e parë 2026, krahasuar me tremujorin e parë 2025.”-bën të ditur ASK.

Këto dhe të dhëna të tjera u bën të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK] me rastin e publikimit të “Indeksit të Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB) për tremujorin e parë (TM1) 2026, me vitin bazë 2018 = 100”.
Lidhur me këtë, ASK sqaron se ky indeks përpilohet dhe publikohet në përputhje me Ligjin për Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Sipas ASK-së, metodologjia është zhvilluar me asistencë teknike nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) për të siguruar saktësinë, besueshmërinë dhe krahasueshmërinë ndërkombëtare të IÇPB-it.
Burimi kryesor i të dhënave për përpilimin e Indeksit të Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB) është Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK). Të dhënat përfshin transaksionet e regjistruara të pronave të banimit në të gjitha komunat e Kosovës dhe përmban informacione përkatëse të cilat listohen në publikim..
Në muajin korrik të vitit 2025, ASK publikoi një raport që tregon për numrin e banesave dhe ndërtesave në Kosovë. Raporti nxori në pah se rreth 36% e banesave janë të pabanuara.
“Sipas të dhënave të publikuara, në Kosovë ka gjithsej 581,095 banesa. Nga to 356,959 janë të banuara nga një ose më shumë banorë, ndërsa 207,165 banesa (ose 35,7%) janë të pabanuara, përfshirë ato të destinuara për shitje, qira apo përdorime të tjera”- kishte thënë ASK.