Shtyhet seanca në rastin “Ukë Rugova 2”

Seanca e sotme nuk është mbajtur për shkak të mungesës së të akuzuarit Fadil Ahmeti dhe për shkak të kërkesës së të akuzuarit Fitim Beqiri për t’i caktuar një avokat sipas detyrës zyrtare.

I akuzuari Fitim Beqiri deklaroi se ish avokati i cili e ka përfaqësuar në këtë çështje penale, ka vdekur dhe se nuk ka mundësi më të paguajë një avokat tjetër.

“Avokati që më ka përfaqësuar në këtë çështje penale, Kapllan Baruti ka ndërruar jetë, Unë 7 vite kam paguar avokat, mirëpo tani nuk i kam më mundësitë. Prandaj kërkoj nga Gjykata, që të më caktojë një avokat sipas detyrës zyrtare që të më mbrojë në këtë proces penal”, tha Beqiri.

Gjykata vendosi që të shtyjë seancën për shkak të mungesës së të akuzuarit Fadil Ahmeti dhe vendosi që lëndën t’ia dërgojë kryetarit të Gjykatës, për të vendosur për kërkesën e të akuzuarit Fitim Beqiri, lidhur me caktimin e mbrojtësit.

Ky proces gjyqësor është pjesa e dytë e gjykimit ku të akuzuarit përballen me akuzat për mashtrim dhe kontrabandim me migrantë e që në opinion njihet si “mashtrimi me vizat italiane”.

Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Azem Koskoviku, Hamza Beqiri, Visar Beqiri, Begë Shaqiri, Hasan Shaqiri, Edison Idrizi, Driton Voca, Fadil Ahmeti, Haxhi Islami dhe Valon Selimi, akuzohen nga Prokuroria se duke qenë anëtarë të organizatës të themeluar, organizuar, mbikëqyrur, menaxhuar ose drejtuar nga Ukë Rugova dhe Izet Beqiri, kanë marrë pjesë në furnizimin e individëve me viza Schengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes shtrembërimit ose korrupsionit.

Këta 15 të akuzuar i përkasin grupit të të akuzuarve ku bëjnë pjesë edhe Ukë Rugova, ish-deputet dhe djali i Presidentit Ibrahim Rugova, dhe Astrit Haraqija, ish-ministri i Kulturës nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Më 3 korrik të vitit 2020 ndaj këtyre 15 të akuzuarve u veçua procedura penale.

Sipas aktakuzës plot 556 viza Schengen ishin marrë nga Ambasada e Italisë në Prishtinë, si rezultat i aktiviteteve të këtij grupi.