Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons

Shtimi i rasteve me meningjit, cilat janë simptomat dhe shkaktarët

Shërbimi Spitalor Klink dhe Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se në Klinikën Infektive të QKUK-së, nga muaji korrik i këtij viti, e deri më sot, janë trajtuar 45 pacientë me meningjit tek të pediatrike dhe 20 raste tek të rriturit.

ShSKUK shpjegon se shkaktar i sindromës meningjeale janë infeksionet bakteriale ose virale, ndërsa, si rrugë e përhapjes së infeksionit mund të jenë pishinat, vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije.

Sipas ShSKUK-së, disa nga simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me ato të një gripi normal, por që rëndohen për një kohë shumë të shkurtër. Meningjiti mund të shfaqet menjëherë ose 3-7 ditë pas marrjes së infeksionit.

“Tek simptomat e sëmundjes përfshihen: të vjella, marramendje, temperaturë e lartë e trupit, dhimbje e muskujve, ndjeshmëri ndaj dritës, dhimbje e kokës, konfuzion, gjymtyrë të ftohta, skuqje e lëkurës. Ndërsa tek fëmijët mund të ketë edhe simptoma si frymëmarrja e shpejtuar, irritim dhe të qara për një kohë të gjatë, humbje të përqendrimit dhe mungesë oreksi”- bën të ditur Shërbimi Spitalor.

Sapo të vëreni simptomat e mësipërme apo gjendje të rënduar shëndetësore, ShSKUK udhëzon se qytetarët duhet menjëherë të konsultohen tek mjeku dhe se meningjiti trajtohet vetëm në spital.

Sipas ShSKUK-së, dy muajt e fundit vërehet rritje e numrit të pacientëve, teksa shton se situata është në kontroll të plotë.

“Dy muajt e fundit vërehet rritje e numrit të pacientëve, krahasuar me muajt paraprak, por situata është nën kontroll të plotë dhe Klinika Infektive ka kapacitete të mjaftueshme profesionale dhe hapësinore për të trajtuar pacientët”- thuhet në njoftim.

ShSKUK thotë se aktualisht, në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 11 raste me meningjit, dy prej tyre fëmijë, përderisa nga muaji janar deri në muajin korrik të këtij viti në trajtim ishin 38 pacientë.