Shtabi i Emergjencave në veri demanton IKSHP-në për rastet e reja në veri, Hoti jep sqarime për numrin e rasteve

Mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se nga 295 mostra të testuara dje gjatë ditës, 51 prej tyre kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Prej këtyre 51 rasteve të konfirmuara, 13 ishin nga komuna e Zubin Potokut, 6 raste nga Mitrovica e Veriut, 4 raste nga Zveçani dhe 2 nga Leposaviqi.

Por këto shifra të IKSHP-së i kanë mohuar Shtabi i Krizave dhe Emergjencave në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Mohojmë ashpër të dhënat e deklaruar se në Komunën e Zveçanit janë shfaqur 13 raste të reja me COVID-19″, thuhet në reagimin e Shtabit.

Sipas tyre të dhënat zyrtare dërgohen në Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, dhe publikohen nëpërmjet personelit mjekësor çdo ditë.

Në 24 orët e fundit në Komunat e Veriut në Kosovë, nuk është regjistruar asnjë rast i ri me COVID-19, ka thënë në mëngjes Shtabi i Emergjencave në Mitrovicën e Veriut.

Megjithatë IKSHP mbrëmë ka dhënë një të dhënë krejt tjetër. Sipas IKShP-së, 25 është numri i rasteve të reja me COVID-19 në komunat me shumicë serbe në veri.

Këto të dhëna janë mohuar nga shtabi i Emergjencave në Zubin Potok, por edhe epidemiologu Aleksander Antonijeviq nga Instituti i Shëndetit Publik në Mitrovicë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti, për KosSev ka thënë se këto të dhëna janë të sakta, dhe nuk ka nevojë për shqetësime duke dhënë sqarime se si kanë ardhur deri te këto të dhëna.

“Të dhënat e IKSHP-së korrespondojnë me të dhënat në veri. IKSHP ka siguruar të dhënat nga shtabi i krizave dhe emergjencave të cilët këto të dhëna mund t’i kenë regjistruar dhe njoftuar ditë më parë. Pra Shtabi i emergjencave dhe krizave të dhënat i dërgon në Ministrinë e Administratës dhe Pushtetit Lokal, dhe pastaj kjo Ministri këto të dhëna i përcjell në IKSHP”, ka thënë Hoti.

I njëjti ka sqaruar se raportet e Shtabit të Krizave dhe Emergjencave në komunat me shumicë serbe në veri mund të jenë vonuar disa ditë, pra të dhënat që i ka publikuar IKSHP janë të rasteve që janë shfaqur në ditët e fundit në këto komuna, si dhe ka siguruar se këto të dhëna janë në përputhje me të dhënat e Shtabit të Krizave dhe Emergjencave.