Tanket e Ushtrisë serbe - Foto: Ministria serbe e Mbrojtjes

Shqipëria i bën thirrje Serbisë të tërheqë forcat e armatosura të dërguara afër kufirit me Kosovën

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë i ka bërë thirrje Serbisë tërheqë forcat e armatosura të dërguara pranë kufirit me Kosovën dhe të punojë për shtensionim të menjëhershëm të situatës.

“Shqipëria është veçanërisht e shqetësuar për dërgimin e forcave të armatosura serbe pranë kufirit me Kosovën dhe mjetet fluturuese ushtarake të cilët fluturojnë afër dhe sipër hapësirës ajrore të Kosovës, të cilat nxisin individët të provokojnë trazira dhe dhunë, si dhe synojnë destabilizimin e Kosovës. Këto akte bien ndesh me marrëveshjet ndëkombëtare, të cilat kanë për synim të sigurojnë rendin dhe stabilitetin në atë pjesë të rajonit”, thuhet në reagim.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme nxit të gjithë aktorët të tregohen të përmbajtur dhe të drejtohen menjëherë drejt dialogut, si e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull me frymën e bashkëpunimit, ndaj të cilave Shqipëria është angazhuar në mënyrë të pakthyeshme, në përpjekjet e saj dypalëshe dhe shumëpalëshe.

“Si një aleat i NATO-s dhe një anëtar i përgjegjshëm i Kombeve të Bashkuara, Shqipëria do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbështetur të gjitha përpjekjet drejt ç’tensionimit të menjëhershëm të situatës dhe kthimit drejt dialogut”, thuhet në reagim.

Po ashtu, Ministria ka dënuar fuqimisht aktet vandale të kryera në Zubin Potok dhe Zveçan.

“Asgjë nuk e justifikon përdorimin e dhunës, dëmtimin e pronës publike dhe mungesën e respektit ndaj ligjit. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën thirrje që këta vandalë të sillen para drejtësisë”, thuhet tutje në reagim.

Sot është dita e shtatë e bllokimit të rrugëve që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Rrugët drejt këtyre pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë janë bllokuar me kamionë dhe automjete të tjera nga qytetarë serbë të Kosovës, të cilët kështu kanë vendosur të protestojnë kundër vendimit të institucioneve të Kosovës për zbatimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve të Serbisë.

Një vendim i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili rrjedh nga Marrëveshja e Brukselit, parasheh që të gjitha automjetet me targa të Serbisë që hynë në Kosovë të pajisen me targa të përkohshme të Republikës së Kosovës, njëjtë siç veprohet me automjetet e Kosovës që hynë në Serbi.

Dërgimi i njësive speciale në pikat kufitare në veri të vendit ka ngjallur protesta të banorëve serbë, të cilët kanë bllokuar  rrugët drejt dy pikave kufitare.

Deri më sot situata është e qetë, përkundër se nga Serbia ka pasur përshkallëzim të tensioneve pasi për dy ditë radhazi ka pasur fluturime me helikopterë dhe aeroplanë luftarakë deri afër kufirit me Kosovën.

Gjithashtu, gjatë natës së kaluar në qytetet në veri të vendit ka pasur incidente, të cilat ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe kryeministri Albin Kurti, i kanë cilësuar si vepra me elemente terroriste.

Për shkak të situatës së krijuar në veri, dhe sidomos pas provokimeve nga Serbia me helikopterë e aeroplanë, mbrëmë është mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Kosovës.

Po ashtu, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është detyruar ta ndërpresë vizitën në Shtetet e Bashkuara dhe të niset për Kosovë.