Shqipëri, arrestohet 23-vjeçari që dyshohet se vrau babanë e tij me lëndë eksplozive

Policia e Shqipërisë ka arrestuar M.G., 23-vjeçar nën dyshimin se ka vrarë babanë e tij, D.G., 56-vjeçar duke vendosur lëndë eksplozive në sobën me gaz.

Vrasja ka ndodhur dje në fshatin Selanicë të Vlorës.

“23-vjeçari dyshohet se për shkak të dhunës së vazhdueshme që babai ka ushtruar ndaj tij, ka vendosur lëndë plasëse në sobën me gaz, në oborrin e banesës, nga shpërthimi i së cilës humbi jetën 56-vjeçari” – thuhet në njoftimin e policisë.

Në fillim dyshohej se ngjarja ka qenë aksidentale, por pas hetimeve të thelluara, policia thotë se ka zbardhur këtë ngjarje dhe se ajo ishte e qëllimshme.

“Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: mekanizmi elektrik me të cilin është realizuar shpërthimi, 25 granata dore difensive, 37 kallëpe me lëndë plasëse tritol (me peshë 400 gr. secila), 43 kapsolla detonatore, 5 ndezësa granatash, 1 armë zjari pushkë, 1 celular, 2 thika, 310 fishekë luftarakë, 12 krehra për armë zjarri, 2 radio marrëse-dhënëse, kapuça dhe veshje për mbulimin e fytyrës dhe mjete për punime elektrike me ngjitje” – ka njoftuar Policia e Shqipërisë.

Këto materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë në Vlorë për veprime të mëtejshme.