Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve nesër dorëzon padi kundër vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës

Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve nesër do të dorëzojë padi kundër Ministrisë së Infrastrukturës rreth vendimit për përgjysmimin e çmimit të biletave për disa kategori qytetarësh.

Përmes një njoftimi, kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj, ka bërë të ditur se padia pretendon për shkelje ligjore të vendimit të Ministrisë.

“Ju njoftojmë që nesër më datë 14.03.2022 në ora 10:00 në Pallatin e Drejtësisë para objektit A, në Hajvali, do të bëjmë dorëzimin e padisë për anulimin e vendimit të Ministrisë dhe Kërkesës për shtyerjen e ekzekutimit të vendimit”, ka bërë të ditur Kurtishaj.

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Hysen Durmishi, të premten ka njoftuar se kanë marrë vendim për caktimin e çmimores në transportin ndërurban të udhëtarëve me autobus për kategoritë e veçanta siç janë: fëmijët, studentët, invalidët e luftës, invalidët punës dhe pensionistët.

Sipas këtij vendimi, fëmijët deri në moshën 6-vjeçare nuk obligohen të paguajnë biletë të transportit.

Për kategoritë tjera – studentët, invalidët e luftës, invalidët e punës, pensionistët, çmimi i biletës në transportin ndërurban me autobus do të jetë 50% e vlerës së çmimit të biletës që është aktualisht në atë relacion.

Ndërsa sot, kjo Shoqatë ka mbajtur një mbledhje ku kanë kërkuar nga Qeveria që të zhbëjë vendimin.

Shoqata e Transportit Rrugor i jep Qeverisë afat 72 orë ta zhbëjë vendimin për lirimin e biletave për disa kategori