DOKUMENT – Qeveria merr vendim ta përgjysmojë biletën e autobusit për studentët dhe disa kategori tjera

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Hysen Durmishi ka njoftuar se kanë marrë vendim për caktimin e çmimores në transportin ndërurban të udhëtarëve me autobus për kategoritë e veçanta siç janë: fëmijët, studentët, invalidët e luftës, invalidët punës dhe pensionistët.

Sipas këtij vendimi, fëmijët deri në moshën 6-vjeçare nuk obligohen të paguajnë biletë të transportit.

Për kategoritë tjera – studentët, invalidët e luftës, invalidët e punës, pensionistët, çmimi i biletës në transportin ndërurban me autobus do të jetë 50% e vlerës së çmimit të biletës që është aktualisht në atë relacion.

Transporti ndërurban nënktupon transportin nga një qytet në tjetrin.

Këto kategori duhet fillimisht që të prezantojnë dokument përmes të cilëve konfirmohet që bëjnë pjesë në kategorizimin e veçantë.

“Duke pasur parasysh lëvizjet e çmimeve këtyre ditëve dhe në përputhje me kompetencat tona, kemi marrë vendim që të ndikojmë direkt në uljen e këtyre çmimeve për kategoritët që prek më shumë kjo gjendje, duke përcaktuar kështu çmimoren për transportin ndërurban me autobus për fëmijët, studentët, invdalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët. Për kategoritë e lartpërmendura, me këtë vendim përgjysmohet çmimi i biletës aktuale”, ka shkruar Durmishi.

Ky vendim obligon të gjithë operatorët e transportit ndërurban të udhëtarëve me autobus që të respektojnë çmimoren për kategoritë e përcaktuara.

Kjo çmimore hyn në fuqi menjëherë dhe mbetët e tillë deri në normalizimin e çmimeve të derivateve të naftës.

Pas rritjes së çmimit të derivateve, edhe çmimet e biletave kanë pësuar ngritje.