LAJMI I FUNDIT - Policia KS2

Shkëmbim zjarri mes policisë dhe disa personave në Zubin Potok

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në fshatin Bube të Zubin Potokut pas një shkëmbimi me armë zjarri mes forcave të rendit dhe disa personave.

Siç ka njoftuar policia, rasti ndodhi pasi u tentua të ndalonin disa vetura të dyshimta.

“Zyrtarë policorë nga Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare, sot më 30.12.2023 rreth orës 06:15, në fshatin Bube të Zubin Potokut, kanë vënë re lëvizje të dyshimta të disa automjeteve. Në përpjekje për t’i ndaluar dhe kontrolluar automjetet e dyshuara, policia ka hasur në rezistencë të armatosur nga persona të dyshuar” – thuhet në njoftim.

“Të ndodhur në një situatë të tillë, për të mbrojtur vetën dhe vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë i janë kundërpërgjigjur sulmit po ashtu me armë dhe kanë arritur ta arrestojnë njërin nga të dyshuarit: D.I., (viti i lindjes 1981, mashkull serb kosovar nga Z. Potoku)” – thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, gjatë shkëmbimit të zjarrit, zyrtarët policorë dhe i arrestuari nuk kanë pësuar lëndime.

Derisa, gjatë kontrollit të kamionit, janë gjetur të ngarkuara 40 copë dele, pa dokumentacion përcjellës e që dyshohet se janë kontrabanduar nga Serbia për në Republikën e Kosovës. Po ashtu aty janë hasur edhe dy automjete të braktisura, dyshohet se kanë qenë në përcjellje të kamionit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, përfshirë IPK-në dhe për rastin është njoftuar prokurori.

“Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti kundrejt dy veprave penale: ‘sulmi ndaj personit zyrtar’ dhe ‘kontrabanda e mallrave’”- thuhet ne njoftim.

Tutje,  policia thekson se kamioni me dele është dërguar në terminalin doganor, dy veturat e hasura në vend- ngjarje janë konfiskuar, kurse më aktvendim nga prokurori, i dyshuari dërgohet në mbajtje deri në 48 orë.