Shkarkimet e Qeverisë Kurti: Kontratat për lobim e qira që çuan në shkarkimin e sekretarit Kushtrim Cukaj
Javën e kaluar është shkarkuar Kushtrim Cukaj, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Integrimeve Europiane nga Komisionit Disiplinor për Pozitat e Nivelit të Lartë Drejtues në Shërbimin Civil të Qeverisë së Kosovës.
Cukaj, sipas arsyetimit të vendimit, është shkarkuar për shkak të shkeljeve të rënda dhe të shumta të detyrave të punës gjatë ushtrimit të funksionit të tij në këtë pozitë. Shkeljet që kanë çuar në shkarkimin e tij, sipas Ministrisë së Integrimeve kanë të bëjnë me nënshkrimin e kontratave për lobim, punësime me kontrata mbi vepër e pagesën e qirasë.
Qeveria e Kosovës së bashku me njoftimin për shkarkimin e Cukajt e ka dërguar edhe vendimin e plotë në të cilën janë listuar arsyet e shkarkimit të tij. Komisioni Disiplinor që ka vendosur për shkarkimin e Cukajt përbëhej nga: Zëvendëskryeministri Haki Abazi (kryesues), dhe anëtarët: U.D. ministri i MPBAP, Xhelal Sveçla, ministrja e MAPL, Emilja Rexhepi, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi dhe kryeshefja ekzekutive e ABGJ-së, Edi Gusia.
Ministria e Integrimeve pretendon se Cukaj gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka keqadministruar resurset e Ministrisë në lidhje me kontratat e lobimit.
Sipas MIE-së, më 17 qershor 2019 kjo Ministri kishte nënshkruar kontratë për shërbime të konsulencës ndërkombëtare për nevoja të saj me operatorin ekonomik ‘Madison Group Strategies L.L.C’ me seli në ShBA.
E njëjta kontratë kishte kohëzgjatje 9 muaj dhe vlera e saj ishte 171 mijë dollarë amerikanë. Kontrata ishte justifikuar mbi nevojën që Kosova ka për forcimin e pozitës së saj në skenën ndërkombëtare e sidomos atë evropiane si dhe për sigurimin e ekspertizave strategjike, ligjore dhe politike në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës në procesin e integrimit euro-atlantik në përmbushjen e kritereve për integrim europian.
Ministria pretendon se Cukaj kishte dështuar të përmbushte përgjegjësinë e tij për të siguruar zbatimin e kontrollimit të zbatimit të legjislacionit dhe bashkëpunimit në ministri të tjera ashtu që të konsultohen për mundësinë e tejkalimit të kompetencave dhe fushëveprimit të Ministrisë së Integrimeve Europiane.
“Kërkesa e datës 23.04.2019 e ish-ministres Dhurata Hoxha mbi ë cilën është kërkuar inicimi i marrëveshjes për shërbime të konsulencës ndërkombëtare dhe shërbimet e ofruara dhe të raportuara përmes raportit të shërbimeve korrik 2019- janar 2020 nga operatori ekonomik kanë qenë jashtë fushës së veprimtarisë dhe kompetencave të MIE-së”, thuhet në vendimin e komisionit disiplinor.
Gjithashtu, në vendim thuhet edhe se ai ka dështuar të ushtrojë me efikasitet përgjegjësinë e tij për koordinimin e sistemit ministror pasi që njëra ndër arsyet e kësaj kontrate thuhet të ketë qenë mungesa e kuadrove dhe ekspertëve në ndërtimin e strategjive të politikave të jashtme përkatësisht pozicioneve ligjore dhe politike në procesin e integrimit euro-atlantik.
MIE ka konsideruar po ashtu se Cukaj ka dështuar të përmbushte përgjegjësinë e tij për sigurimin e zbatimit dhe kontrollimin e zbatimit të legjislacionit pasi që lidhja e kësaj kontrate bëhet përmes procedurës së prokurimit me negocim pa publikim të njoftimit të kontratës, pa u përmbushur kërkesat e Ligjit për Prokurimin Publik, të cilat autorizojnë përdorimin e kësaj procedure prokurimi.
Po ashtu, MIE ka konsideruar se Cukaj ka dështuar që të mbrojë interesin publik. Gjithashtu ka dështuar që si përgjegjës për administrimin e burimeve financiare të sistemit ministror, të luajë rol aktiv në përcaktimin e kushteve të kontratës, veçanërisht sa ka të bëjë me çmimet, karakteristikat teknike si dhe të sigurojë që çmimi i kontraktuar nuk është më i lartë se çmimi i tregut.
“Kjo pasi që oferta financiare e dakorduar mes palëve si shërbim të vetëm të përshkruar thekson se shërbimet e konsulencës ndërkombëtare për nevojat e Ministrisë së Integrimit Evropian që ka si sasi 9 muaj dhe çmim për njësi prej 19 mijë dollarëve amerikan.”
Gjithashtu, në vendim thuhet se Cukaj ka dështuar të veprojë në mënyrë profesionale në lidhje me njoftimin për shkëputjen e kontratës nga ana e Ministrisë së Integrimeve Europiane me operatorin ekonomik ‘Madison’.
Në një nga pikat e arsyetimeve të pretendimeve për Cukajn thuhet se komunikimet me operatorin ekonomik kanë qenë jokoherente dhe joprofesionale duke i shkaktuar dëm reputacionit të MIE-së pasi ndër të tjera Cukaj pa marrë parasysh vendimin i ka bërë me dije “OE Madison” se në momentin që rrethanat lejojnë do ta njoftojë për rifillimin e shërbimeve.
“Cukaj më pastaj kryesor delegacionin nga MIE që udhëton në SHBA në janar të vitit 2020 me qëllim të negocimit për përfaqësues të kompanisë OE Madison në Washington D.C lidhur me situatën e krijuar për këtë kontratë. Lidhur me këtë ka bërë shkelje të parimit të efektshmërisë, efikasitetit përgjegjshmërisë dhe shkaktimit të dëmit financiar asi kundrejt shpenzimeve të bëra nuk mund të arsyetohet dobishmëria e përfitimit për institucionin”, thuhet në vendim.
Punësimet
Pretendimi i dytë i MIE është se Cukaj gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka keqadministruar resurset e MIE me rastin e lidhjes së kontratës për shërbime mediale.
Në lidhje me këtë pretendim, sipas MIE në shkresat e lëndës nuk janë paraqitur dokumente të mjaftueshme që të mund të provonin bazën e tij.
Pretendimi i tretë i MIE-së, është se Cukaj gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka shkelur obligimet ligjore dhe ndërkombëtare të Kosovës që burojnë nga skema e Profesionistëve të Rinj.
Përkundër marrëveshjes për punësimin e bursistëve nga skema e profesionistëve të rinj, MIE kishte hapur konkurs të jashtëm për pesë pozita.
“Më 23.07.2019, MIE shpall 5 konkurse për punësim me legjislacionin në fuqi. Konkurset janë shpallur pa kërkesën nga ana e udhëheqësve të njësive në të cilat gjendeshin pozitat e lira, sikurse parashihen me Rregulloren për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil. Konkurset e tilla të shpallura nga MIE po ashtu janë bërë në kundërshtim me detyrimet e marra nga Qeveria e Kosovës për të cilën MIE është përgjegjës dhe përfaqësuese në nivel vendi”, thuhet në vendim.
MIE pretendon se Cukaj ka dështuar të përmbushte përgjegjësinë e tij për sigurimin e zbatimit dhe kontrollimin e zbatimit të legjislacionit duke kryer dhe duke lejuar kryerjen e veprimeve që përbëjnë shkelje të legjislacionit në fuqi dhe të detyrimeve të parapara me marrëveshje ndërkombëtare.
Një pretendim tjetër i MIE është edhe se Cukaj gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka keqadministruar resurset e MIE-s me lidhjen e marrëveshjeve për shërbime të veçanta.
“Në bazë të komunikimeve të datës 1 dhe 2 korrik 2019 në mes të Cukajt dhe udhëheqësve të njësive/ drejtorëve të departamenteve, shihet se këta të fundit nuk kanë kërkuar të angazhohen persona përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta. Përkundër kësaj kontratat MSHV nënshkruhen me vet-iniciativë të Cukajt pa pasur kërkesa të parashtruara nga njësitë përkatëse si dhe pa u dëshmuar asnjë nevojë objektivë për një kontraktim të tillë, rrjedhimisht këtu është shkelur parimi i efikasitetit, eficiencës dhe parimi i ligjshmërisë”, thuhet në vendim.
Pretendimi i pestë i MIE-së për Cukajn është edhe se i njëjti gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka shkelur Kodin e Mirësjelljes në Shërbimin Civil.
Pretendimi i gjashtë është se Cukaj ka ndërmarrë masa disiplinore ndaj stafit të Ministrisë së Integrimit Europian në mënyrë të jashtëligjshme.
“Me datë 05.07.2019, Kushtrim Cukaj ka shqiptuar masa disiplinore- vërejtje me shkrim për tre drejtorë të departamenteve profesionale me arsyetimin se të njëtit nuk kanë realizuar obligimet e tyre për të iniciuar kërkesat për rekrutim”, thuhet në vendim.
Një pretendim tjetër i listuar në vendim është edhe moskryerja e obligimeve për vlerësimin e rregullt vjetor sipas procedurave të parapara. Sipas vendimit, Cukaj nuk ka kryer procesin e vlerësimit për dy drejtorë të departamenteve profesionale. Një vlerësim i tillë është obligim dhe kryhet sipas procedurave dhe afateve të parapara me Ligjin për Shërbimin Civil të Kosovës për Vlerësimin e Rezultateve në Punë të Nënpunësve Civilë.
Gjithashtu, MIE pretendon se Kushtrim Cukaj ka dëmtuar raportet e Qeverisë së Kosovës me partnerët e jashtëm.
“Gjatë ushtrimit të detyrave dhe përgjegjësive të Cukaj, janë evidentuar veprime jo profesionale dhe komunikim denigrues për institucionin, duke u shërbyer me të pavërteta, me qëllim të shtrembërimit dhe informimit jo korrekt të partnerëve ndërkombëtar përfshirë këtu Zyrën Përfaqësuese të Bashkimit Evropian në Kosovë siçështë rasti për çështjen e hapjes së konkurseve për punësim në MIE me ç’rast Cukaj përmes prononcimeve në media ka përdorur cilësime joprofesionale e jo etike duke kualifikuar zyrtarë të BE-së si të rënë pre e gënjeshtrave dhe keqinformimit politikisht të motivuar”, thuhet në vendim.
Në pretendimin e nëntë MIE thotë se Cukaj ka refuzuar zbatimin e vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.
“Më 11.12.2018, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka marrë vendim për shfuqizimin e vendimit të sekretarit për caktimin e ushtruesit të detyrës në pozitën e Drejtorit të Departamentit të së Drejtës së BE-së për nënpunësim i cili në kohën e ushtrimit të detyrës ka mbajtur pozitën e zyrtarit të lartë me koeficient 8. Ligji për Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës, Cukaj duhet që në rast të mungesës ose paaftësisë udhëheqësi i departamentit zëvendësohet nga një udhëheqës tjetër departamenti siç e përcakton Rregullorja për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës e jo të përcaktohet ushtrues detyre një nënpunës nga kategoria funksionale e nivelit profesional”, thuhet në vendim.
Pretendimi i dhjetë i Ministrisë së Integrimeve Europiane thotë se Cukaj i ka shkaktuar dëm buxhetit të MIE-së për shkak të lidhjes së kontratave për shfrytëzim të objekteve me qira për nevojat e MIE-s.
“Më 29.08.2018 ka nënshkruar kontratën me “Ramiz Sadiku Co” për të shfrytëzuar me qira hapësirat për qëllime të MIE. Kontrata përcaktonte shfrytëzimin e objektit me qira me hapësirë prej 502 metrave katror ku MIE obligohet të paguaj 9 mijë e 50 euro në muaj për 12 muaj me radhë me mundësi vazhdimi”, thuhet në pretendimet e MIE-së.
MIE ka vlerësuar se nuk ka dëshmi se objekti është shfrytëzuar nga MIE deri pas vendimit për zhvendosje nga ana e Cukaj i cili përmes emailit më 26.10.2018 njofton stafin e MIE-s se duhet të bëhet zhvendosja e katit të tetë i ndërtesës së Qeverisë. Kjo pra ka ndodhur dy muaj më vonë pasi që është nënshkruar kontrata ndërkohë që faturat e qirasë janë paguar edhe për dy muajt paraprakë edhe pse hapësirat nuk kanë qenë duke u shfrytëzuar.
Pas të gjitha këtyre pretendimeve të ngritura nga ana e Ministrisë së Integrimeve Europiane, Komisioni Disiplinor ka vendosur që Kushtrim Cakaj të shkarkohet nga detyra e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë.
Komisioni më 30 prill kishte mbajtur një mbledhje për shqyrtimin e lëndës ndërsa më 5 maj komisioni kishte vendosur që të ftojë në seancën dëgjimore ministrin Reka së bashku me sekretarin tashmë të shkarkuar Kushtrim Cukaj.
Cukaj në këtë proces do të përfaqësohej nga avokatja Albana Kelmendi.
Sipas vendimit thuhet se 10 pretendime të ministrit Reka në lidhje me detyrën e Cukajt i është dërguar në formë të dokumentit.
Më 8 maj Cukajt sipas vendimit i është dërguar në formë elektronike materiali dhe lënda e inicuar ndaj tij. Më 12 maj ishte caktuar data dëgjimore por Cukaj nuk kishte shkuar për shkak të arsyeve shëndetësore ndërsa mbajtja e komisionit u shty për një ditë pra për më 13 maj.
Edhe për këtë seancë dëgjimore Cukaj kishte kërkuar që të shtyhej pasi nën arsyetimin se stafi i Ministrisë së Integrimeve do t’i nënshtrohej testimit për COVID-19, ndërsa për të njëjtin u vendos që të paraqitet në komision më 18 maj nga ora 15:00.
Në datën e njëjtë u mbajt komisioni disiplinor ku kishin marrë pjesë Cukaj dhe avokatja Albana Kelmendi.
Më 18 maj, Cukaj kishte deklaruar para komisionit disiplinor se nuk mund të japë dëshmi as për t’u përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të komisionit pasi që prentendoi se nuk e ka të kompletuar materialin e pranuar të lëndës. Për këtë çështje i njëjti u deklarua vetëm për materialet të cilat ka pranuar nga komisioni.
Komisioni kishte kërkuar sërish nga Cukaj që të përgjigjet në pyetje dhe të japë dëshmi për pretendimet që ishin ngritur ndaj tij por i njëjti kishte refuzuar ndërsa komisioni kishte vlerësuar se Cukaj kishte refuzuar të bashkëpunonte në lidhje me pretendimet e ngritura nga Ministria e Integrimeve Europiane.
Por kush është Kushtrim Cukaj?
Në një biografi të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Integrimeve në Kosovë, thuhet se nga viti 2000 deri në vitin 2010, Cukaj ka punuar në OSBE, në Departamentin e Zgjedhjeve, në përgjegjësinë e zyrtarit të lartë vendor/specialist i operacioneve zgjedhore.
Pas kësaj periudhe, Cukaj nis karrierë në institucionet e Kosovës, qoftë në Qeveri apo në institucione të arsimit të lartë.
Nga viti 2011 deri në vitin 2014 ka realizuar përgjegjësinë e kryetarit të bordit për Menaxhimin e Pyjeve, MBPZhR, Qeveria e Republikës së Kosovës.
Nga viti 2012- vazhdon edhe tutje është ligjërues në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.
Në vitin 2014 ka punuar drejtor i Zyrës për bashkëpunim ndërkombëtar në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.
Nga viti 2015 e deri në vitin 2018 ka punuar si menaxher regjional për rajonin e Pejës, Posta e Kosovës Sh.A.
Kushtrim Cukaj sipas biografisë është inxhinier i diplomuar, kandidat për doktoratë.
Ka marrë pjesë në shumë simpoziume shkencore dhe po ashtu ka bërë publikime shkencore.
Ndërsa më 11 shtator 2018, është emëruar sekretar i përgjithshëm, pas dy konkurseve, pa asnjë ankesë.
Shkarkohet sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Integrimit Evropian