Vendvotim në Mitrovicën Veriore – 21.04.2024 | Foto: KALLXO.com

Lajm në zhvillim - Votimi pro/kundër për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri

22:50 – Kurti: Pas votimit në veri masat e padrejta ndaj Kosovës duhet të largohen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pas procesit të votimit në katër komunat veriore me shumicë serbe për largimin ose jo të kryetarëve, duhet të largohen masat e padrejta ndaj Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se mundësimi i shkarkimit të kryetarëve aktualë dhe mbajtja e zgjedhjeve, ishin kriter kyç për largimin e masave ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Europian.

“Ata që nuk i kanë dashur këta katër kryetarë komunash në veri, sonte, me keqardhje duhet t’ua urojnë atyre pozitat. E kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri, bëjnë mirë që më në fund të shkojnë në zyret e tyre dhe ta ushtrojnë në mënyrë të papenguar detyrën në objektet zyrtare të komunave të Republikës së Kosovës” – ka thënë Kurti në reagim.

22:40 – Demokracia në Veprim: Kushtet në qendrat e votimit nuk kanë plotësuar standardet

Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV) e ka cilësuar si të qetë dhe pa incidente procesin e votimit të sotëm me 21.04.2024 për largimin ose jo të kryetarëve në katër komunat veriore me shumicë serbe në Kosovë.

Por megjithëse ka thënë se kushtet teknike nëpër disa qendra të votimit nuk i kanë plotësuar standardet e procesit të veprimit.

KALLXO.com raportoi pamjet skandaloze nga qendra e votimit në Koshtovë të Leposaviqit:

22:12 – Ambasada e SHBA-së në Kosovë: Kryetarët mbesin në vendet e tyre

Pas dështimit të votimit për largimin ose jo të kryetarëve në katër komunat e veriut të Kosovës, një zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë tha se përderisa pjesëmarrja e votuesve ka qenë e ulët, kryetarët do vijojnë në pozitat e tyre në krye të komunave.

“Ne kuptojmë nga ekipet ndërkombëtare të vëzhgimit se ka pasur pjesëmarrje jashtëzakonisht të ulët të votuesve. Prandaj nuk ka asnjë vendim nga votuesit për të tërhequr kryetarët e komunave. Kryetarët e komunave në vend u zgjodhën dhe mbeten në vend, sipas kornizës ligjore të Kosovës” – tha zëdhënësi në një përgjigjje për Kallxo.com.

Nga Ambasada thanë që ata së bashku me partnerët e ndoqën këtë proces nga afër dhe se i vjen keq që qytetarët në Zveçan, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, nuk e shfrytëzuan të drejtën e votës dhe nuk i shfrytëzuan plotësisht mjetet demokratike për të avancuar demokracinë efektive dhe përfaqësuese.

“Pjesëmarrja demokratike ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike” – u shpreh zëdhënësi i Ambasadës.

Zëdhënësi shtoi se vendet e QUINT-it dhe BE-ja i kanë bërë thirrje Listës Serbe dhe akterëve të tjerë politikë serbë në Kosovë që të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre për t’u tërhequr nga pjesëmarrja në këtë votim.

Sipas tij, Ambasada amerikane vlerëson përpjekjet e bëra nga zyrtarët kosovarë të zgjedhjeve për të lejuar të gjithë qytetarët kosovarë të regjistruar në katër komunat të marrin pjesë në këtë proces demokratik.

Nga po ky zyrtar u tha që qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar.

“Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës dhe zgjedhjet e lira, të drejta dhe legjitime që e mbështesin atë”- shtoi ai.

KQZ ka njoftuar që duke u mbështetur në të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar siç kërkohet me nenin 72 të Ligjit për Vetëqeversjen Lokale në Republikën e Kosovës, “pra nuk është arritur 50% i domosdoshëm, andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar”.

Sipas të dhënave të pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar është: në komunën e Leposaviqit kanë votuar 124 votues nga 13,674 apo 0.91%; në komunën e Zubin Potokut kanë votuar 18 votues nga 6,877 apo 0.26%; në komunën e Zveçanit nuk ka votuar asnjë votues nga 7,209, pra kemi 0%; në komunën e Mitrovicës së Veriut kanë votuar 111 votues nga 18,796 apo 0.59%.

22:06 – Reagon Lista Serbe: Sot u dëshmua se ne dhe Serbia nuk i frikësojmë serbët, por Kurti dhe njësitë e tij policore

Pas votimit në komunat në veri të vendit ka reaguar partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe.

Kjo parti ka thënë se dita e sotme dëshmoi se Lista Serbe dhe Serbia nuk i frikëson serbët, por, sipas tyre, “Kurti dhe njësitë e tij policore”.

Përmes një komunikate për media, Lista Serbe ka thënë se mbajtja e votimit për largimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave në veri më 21.04.2024 ka treguar disa gjëra që duhet të merren parasysh në periudhën e ardhshme, sipas tyre, në radhë të parë nga përfaqësuesit ndërkombëtarë.

“E para është se Lista Serbe kishte thellësisht të drejtë kur i bëri thirrje popullit serb që të mos merrte pjesë në këtë lojë të Kurtit, sepse ishte krijuar që në fillim me synimin për të dështuar” – thuhet në reagim.

“Së dyti, ne duam të ritheksojmë qartë se ishim më se të gatshëm që të merrnim pjesë në këtë proces për të zëvendësuar kryetarët e rremë në komunat tona, por nuk donim të luanim lojëra të drejtuara nga regjimi në Prishtinë”.

Tutje, Lista Serbe ka pretenduar se dita e sotme ka treguar, sipas tyre, se si duket demokracia nën Albin Kurtin “me forca speciale dhe mjete të blinduara në qendrat e votimit, kamera që regjistrojnë votuesit”.

Në fund të reagimit, Lista Serbe ka thënë se dita e sotme ka treguar një shkallë të lartë të unitetit të popullit serb, “gjë që dëshmoi se nuk është Lista Serbe dhe Serbia që po i frikësojnë serbët, por Kurti dhe njësia e tij ilegale policore, që rezultoi në rrugë të zbrazëta”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar që gjatë votimeve për ose kundër largimit të kryetarëve të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut kanë votuar vetëm 253 qytetarë, derisa në Zveçan asnjë, duke e cilësuar të dështuar këtë proces.

KQZ ka njoftuar që duke u mbështetur në të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar siç kërkohet me nenin 72 të Ligjit për Vetëqeversjen Lokale në Republikën e Kosovës, “pra nuk është arritur 50% i domosdoshëm, andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar”.

Sipas të dhënave të pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar është: në komunën e Leposaviqit kanë votuar 124 votues nga 13,674 apo 0.91%; në komunën e Zubin Potokut kanë votuar 18 votues nga 6,877 apo 0.26%; në komunën e Zveçanit nuk ka votuar asnjë votues nga 7,209, pra kemi 0%; në komunën e Mitrovicës së Veriut kanë votuar 111 votues nga 18,796 apo 0.59%.

20:15 – LIVE nga studio – Procesi i veriut

Ka përfunduar votimi i 21.04.2024 për katër komunat në veri në vendit për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Sonte në Kallxo Përnime diskutohet për këtë proces të votimit.

Procesi i votimeve në 4 komunat në veri do të diskutohet në studio me: Branislav Kërstiq, gazetar, Arianit Elshani, PDK, Enver Dugolli, LVV, Shkëlqim Jakupi, ish-drejtor ligjor në MAPL Kreshnik Gashi, KALLXO.com.

20:26 – Procesi i votimeve në veri, deklarohet Prokuroria e Shtetit

Prokuroria e Shtetit ka thënë se procesi i votimit në katër komunat veriore të Kosovës, ka kaluar pa asnjë rast nga veprat penale kundër të drejtave të votimit.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria tha se gjatë gjithë ditës ka mbikëqyrë procesin e votimit në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

“Që nga ora shtatë e mëngjesit të ditës së sotme, prokurorët e shtetit janë angazhuar, në stacione policore të katër komunave gjegjëse, për të mbikëqyrë për së afërmi mbarëvajtjen e procesit të votimit, të cilët ishin në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit. Të njëjtit gjatë gjithë ditës vazhdimisht kanë vizituar qendrat e votimit në katër komunat për të parë për së afërmi ecurinë e procesit të votimit” – thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Në fund të komunikatës, Prokuroria tha se do të vazhdojë të mbikëqyrë procesin e numërimit të votave deri në përfundimin e procesit.

20:04 – Zveçan, Policia asiston në largimin e materialit zgjedhor

Njësia e Reagimit të Shpejtë e Policisë së Kosovës, asiston në largimin e materialit zgjedhor nga objekti komunal i Zveçanit.

Ekipi i KALLXO.com sjell pamje nga vendi i ngjarjes:

Njësia e Reagimit të Shpejtë e Polcisë së Kosovës – Foto: KALLXO.com
Njësia e Reagimit të Shpejtë e Polcisë së Kosovës – Foto: KALLXO.com

19:58 – KQZ: Nuk është arritur 50% i domosdoshëm, votimi për largimin e kryetarëve ka dështuar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar që gjatë votimeve për ose kundër largimit të kryetarëve shqiptarë nga funksioni në katër komunat me shumicë serbe në veri – Leposaviq, Zubin Potok, dhe Mitrovicë e Veriut kanë votuar vetëm 253 qytetarë, derisa në Zveçan asnjë votë e vetme, duke e cilësuar të dështuar këtë proces.

KQZ ka njoftuar që duke u mbështetur në të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar siç kërkohet me nenin 72 të Ligjit për Vetëqeversjen Lokale në Republikën e Kosovës, “pra nuk është arritur 50% i domosdoshëm, andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar”.

Sipas të dhënave të pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar është: në komunën e Leposaviqit kanë votuar 124 votues nga 13,674 apo 0.91%; në komunën e Zubin Potokut kanë votuar 18 votues nga 6,877 apo 0.26%; në komunën e Zveçanit nuk ka votuar asnjë votues nga 7,209 pra kemi 0%; në komunën e Mitrovicës së Veriut kanë votuar 111 votues nga 18,796 apo 0.59%.

19:50 – Policia e konsideron të qetë dhe pa incidente procesin e votimit në 4 komunat në veri të Kosovës

Policia e Kosovës njofton se procesi i votimit për apo kundër largimit nga funksioni i kryetarëve të 4 komunave në veri të vendit ka kaluar i qetë dhe pa incidente.

Sipas një njoftimi të Policisë, për të siguruar një proces të qetë kanë qenë të angazhuar mjaftueshëm zyrtarë policorë.

Qëllimi kryesor i urdhrit operativ ishte: krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët; sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale, depove komunale, Qendrës së Numërimit të Rezultateve dhe depove qendrore; sigurimi i materialit sensitiv; inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale.

Më 21.04.2024 u votua për apo kundër largimit nga funksioni i kryetarëve të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

253 votues me të drejtë vote morën pjesë në këtë proces, sipas KQZ-së.

Në komunën e Leposaviqit kanë votuar 124 votues nga 13,674 apo 0.91%.

Në komunën e Zubin Potokut kanë votuar 18 votues nga 6,877 apo 0.26%;

Në komunën e Zveçanit nuk ka votuar asnjë votues nga 7,209, pra kemi 0%;

Në komunën e Mitrovicës së Veriut kanë votuar 111 votues nga 18,796 apo 0.59%.

19:42 – Osmani për votimet në veri: Kosova i dha mundësinë qytetarëve, nuk e shfrytëzuan nga presioni i Beogradit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë që Kosova i dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t’i largojnë kryetarët aktualë dhe t’i zgjedhin kryetarët e rinj, por siç tha ajo, ata në masë të madhe nuk e shfrytëzuan.

“Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuqiçi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”- ka thënë Osmani.

Megjithatë, Osmani ka shtuar që Kosova sërish dëshmoi maturi, organizim e respektim të plotë të ligjeve e kushtetutës, “duke ju ofruar të gjitha komuniteteve, pa dallim, mundësinë që ata të zgjedhin vetë se kush dëshirojnë t’i përfaqësojë.”

“Me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë”- tha Osmani.

19:10 – LIVE nga veriu – Mbyllen vendvotimet

19:00 – Përfundon procesi i votimit në komunat në veri të Kosovës

Ka përfunduar procesi i votimit për ose kundër shkarkimit të kryetarëve shqiptarë që u zhvillua në komunat e veriut të Kosovës gjatë ditës së sotme (21.04.2024).

Numri i qytetarëve me të drejtë vote ishte 46 mijë e 556, por numri i atyre që morën pjesë në votimin për apo kundër largimit të kryetarëve të Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicë e Veriut ishte shumë i vogël.

Deri në orën 15:00 kanë votuar vetëm 203 persona, ndërsa në Zveçan nuk ka pasur asnjë votues.

17:20 – Në qendrën më të madhe të votimit në Zubin Potok vetëm 17 votues

Deri më tani në qendrën më të madhe në Zubin Potok, përkatësisht në objektin komunal kanë votuar 17 qytetarë, tha për KALLXO.com, Agim Kastrati, zyrtar i Komisionit Komunal Zgjedhor.

Në Zubin Potok 6 mijë e 877 qytetarë kanë të drejtë vote.

Deri në ora 15:00 në katër komunat veriore të vendit ku po mbahen votimet për largimin apo jo të kryetarëve të komunave, sipas Komisionit Zgjedhor kanë votuar vetëm 203 qytetarë.

Zubin Potok. Foto: Valon Fana/KALLXO.com

17:14 – Ende asnjë votë në Zveçan

Ende nuk është regjistruar edhe një votë në qendrat e votimit në Zveçan.

Këto qendra janë hapur që nga ora 07:00 e mëngjesit, mirëpo tash e 10 orë asnjë qytetar i kësaj komune nuk e shfrytëzuar të drejtën e votës.

Kjo është konfirmuar për KALLXO.com nga zëvendëskryeuesi Shaban Rexha.

“Ende asnjë votë nuk ka. Po presim” – tha Rexha.

17:00 – Dren i Leposaviqit: Votojnë 5 qytetarë 

Në Dren të Leposaviqit kanë votuar vetëm 5 qytetarë deri pasdite, ka konfirmuar për KALLXO.com, Afrim Krasniqi, Kryesues i qendrës së votimit.

Në këtë zonë janë tri qendra,ndërsa lista e votuesve është me mbi 800 qytetarë me të drejtë vote.

Leposaviq. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com
Leposaviq. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

16:39 – Gjendja e vendvotimeve, KQZ arsyetohet se është dashur t’i përgjigjet “rrethanave të reja”

Për gjendjen e vendvotimeve në katër komunat me shumicë serbe në veri, në të cilat po votohet për apo kundër largimit të kryetarëve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është arsyetuar se në momentet e fundit është dashur që t’i përgjigjet “rrethanave të reja”.

KALLXO.com ka raportuar se në qendrat e votimit si ajo në fshatin Koshtovë të Leposaviqit nuk ka energji elektrike dhe ngrohje, ndërsa edhe vetë kontejneri i improvizuar si qendër e votimit, pikon ujë për shkak të reshjeve të shiut.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në konferencë për media tha se KQZ është dashur që të gjejë qendra alternative.

“Sa i përket çështjes së rregullimit të vendvotimeve, KQZ në momentet e fundit është dashur që të përgjigjet rrethanave të reja sa i përket hapjes së qendrave të votimit, pra qendrave alternative, përpjekjet kanë qenë maksimale që të sigurohet krijimi i hapësirave të nevojshme dhe të përshtatshme për proces të votimit” – tha Elezi.

Ndërsa sa i përket pozicionimit të kabinave të votimit, brenda vendvotimeve, Elezi tha se është vendosur që të ndryshohen, sipas tij, pas një analize që KQZ e ka bërë.

16:37 – Votimet në veri, borë në fshatin e Zubin Potokut 

Në Jasenovik të Zubin Potokut po bie borë, deri në 15:30 vetëm një votues. Ekipi i KALLXO.com sjell detaje nga vendi i ngjarjes.

 

 

16:25 – S’ka votues në Bërnjak 

Ekipi i KALLXO.com raporton se në Bërnjak të Zubin Potokut nuk është regjistuar ende asnje votues ani se rreth 1,900 qytetarë kanë të drejtën e votës.

Bërnjak, Foto: KALLXO.com
Bërnjak, votimet
Bërnjak, Foto: KALLXO.com

16:12 – Votimet në veri, deri në ora 15:00 kanë votuar vetëm 203 qytetarë

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri në ora 15:00 në katër komunat veriore të vendit ku po mbahen votimet për largimin apo jo të kryetarëve të komunave, kanë votuar vetëm 203 qytetarë.

Sipas Elezit, në komunën e Zveçanit nuk ka pasur asnjë votues.

“Sipas të dhënave që kemi pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve (KKZ), në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 15:00 është si në vijim: në Leposaviq kanë votuar 122 votues; në Zubin Potok 17; në Zveçan nuk kemi ndonjë votues dhe në Mitrovicë të Veriut 64 votues” – ka thënë Elezi në një konferencë për media.

14:46 – Punëtorët ngrohen me saç të flijave, e heqin ujin me legenin e bebeve – Asnjë votë deri më tani

Në fshatin Koshtovë të Leposaviqit, gjendja e qendrës së votimit nuk i plotëson kushtet bazë për të vijuar procesi.

Sipas anëtarëve të Komisionit Komunal Zgjedhor të cilët tash e 7 orë nuk kanë as energji elektrike, nuk u funksionon kamera e sigurisë, pikon uji nga lartë kontenjerit për shkak të reshjeve të shiut.

Mbrapa qendrës anëtarët tashmë kanë ndezur një zjarr për shkak të motit të ftohtë dhe për t’u ngrohur përgjatë këtyre orëve që kanë mbetur deri në përfundim të procesit të votimit.

Në këtë qendër të votimit deri më tash nuk ka votuar askush.

Qendra e votimit në Koshtovë është edhe njëra nga qendrat në të cilën kryetari Lulzim Hetemi është i regjistruar në listën e votuesve pas iniciativës për shkarkim të tij nga pozita e kryetarit.

14:43h – EULEX: Në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in jemi duke monitoruar situatën e sigurisë në veri

Shefi i Misionit të Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, ka bërë të ditur se janë duke bërë monitorimin e situatës së përgjithshme në katër komunat veriore të Kosovës, ku po votohet për ose kundër shkarkimit të kryetarëve të komunave.

Pietro Barbano tha se këto veprime i kanë ndërmarrë në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Minisionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Në koordinim me PK-në dhe KFOR-in, #EULEX-i është duke monitoruar situatën e përgjithshme të sigurisë rreth vendvotimeve në 4 komunat ku po zhvillohet votimi për tërheqjen e kryetarëve”- ka shkruar ai në X.

Ekipi i KALLXO.com që po raporton nga katër komunat veriore, ka raportuar për praninë e KFOR-it në ato zona.

13:35h – Vendvotimi me gjenerator, por pa drita, pa ngrohje dhe pa asnjë votë deri më tani

Në dy vendvotimet 2810/01 dhe 2807/01, në fshatin Bërnjak të komunës së Zubin Potokut deri në orën 13:00h nuk ka votuar asnjë qytetar.

Gazetari i KALLXO.com që po raporton nga vendi i ngjarjes, Valon Fana ka parë nga afër se kontejneri funksionon përmes një gjeneratori.

Zyrtarët e kësaj pike kanë konfirmuar për KALLXO.com se kamera që e vëzhgon procesin e votimit është funksionale, mirëpo nuk ka dritë dhe nuk ka ngrohje për shkak se gjeneratori nuk e ka një prizë tjetër.

Të njëjtit kanë thënë se së shpejti do vijë një gjenerator tjetër që do mundësojë ngrohjen dhe qe drita të jetë funksionale.

13:03h – Izmir Zeqiri: Nuk do të dalë në votime se do krijohej huti

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri thotë që nuk ka dalë as nuk do të dalë në votime “për ose kundër” shkarkimit të kryetarëve shqiptarë në krye të komunave veriore të Kosovës, pasiqë sipas tij do të krijonte huti te qytetarët dhe do të ishte përgjigje ndaj narrativës së Listës Srpska.

“Po të isha pyetur unë nuk do të kishte nevojë për votim më. Është bërë një votim për t’u zgjedhur kryetarët dhe nuk ka nevojë a është kundër se më shumë është narrativa e këtyre Lista Srpska a ku ta di unë, kundërshtarëve, kështu që nuk do i përgjigjem që me kriju huti te qytetarët”- tha Zeqiri në një intervistë për KALLXO.com.

Për të kjo është hera e parë që nuk voton, edhe pse thotë se e din që ekzstion mundësia të votojë kundër.

Zeqiri tha që qysh që nga viti i kaluar kur është folur për Udhëzimin Administrativ ka qenë dhe kritik ndaj këtij udhëzimi sepse sipas tij hap njëfarë precedanti edhe për komunat tjera.

“Por unë e respektoj çdo udhëzim që del nga institucionet e Kosovës. Por kam qenë skeptik rreth daljes së njerëzve në zgjedhje. Kur është në pyetje Lista Serbe që merret me ato retorikat e veta se gjoja është një faktor i fortë. Lista Serbe, flas me bindje kurrë nuk as vet nuk e dinë sa është në raport me votën e qytetarëve. A e dini pse? Sepse Lista Srpska saherë ka pas votime komisionerët kanë votuar e jo qytetarët. Nuk ka pas komisionerë tjerë, nuk ka pas monitorim as vendor as ndërkombëtar dhe për atë bënë këto kalkulime”- shtoi Zeqiri.

Sipas tij, Lista Srspka frikësohet të ballafaqohet me të vërtetat, sepse ushqehet me të pavërteta.

“Kështu që kësaj radhe ëshë një konsolidim i mirë, ka komisionerë të të gjitha subjekteve. Dhe kur e ka pa Lista Srpska që nuk votojnë komisionerët por qytetarët.. Unë mendoj që nuk do të ketë rezultat”- tha ai.

Ndërkaq për mbarëvajtjen e votimeve, Zeqiri tha që gjithçka ka nisur në kohë dhe vendvotimet janë hapur, megjithatë interesi i qytetarëve është shumë i vogël, nuk janë duke dalë shumë.
“Në bazë të informacioneve, telashe atje nuk ka, vetëm koha se po bie borë dhe është pak më ftohtë”- tha ai për situatën në afërsi të Bërnjakut.

Izmir Zeqiri, kryetar i Zubin Potokut – 21.04.2024

12:50h – Elshani: Policia është e angazhuar me numër minimal në këto votime, për çdo rast do bëjmë reagimet e nevojshme

Zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani tha se janë të involvuar në planifikimin e procesit të votimit për apo kundër shkarkimit të kryetarëve në katër komunat veriore.

Elshani theksoi se nuk kanë parë ndonjë problem duke ndodhur dhe se nuk kanë paraparë mundësinë që sot të jetë një ditë e tensionuar.

“Policia është e involvuar në planifikimin e ditës së referendumit të sotëm, që do të thotë edhe dje edhe sot ne jemi në vazhdimësi në bashkëpunim me KQZ-në në ditët paraprake, mirëpo nuk kemi pa ndonjë problem që është duke ndodhur ose nuk kemi paraparë, nuk kemi inteligjencë e informatë nëse ka mundësi sot të jetë një ditë diçka më e tensionime”- ka deklaruar Elshani.

Ai theksoi, në rast që ka nevojë, ka policë të mjaftueshëm që të bëhen reagimet e nevojshme.

“Sidoqoftë policia me numrin e vet minimal është e angazhuar në këto votime mirëpo, në rast se ka nevojë ne i kemi, ne kemi policë të mjaftueshëm që të bëjmë reagimet e nevojshme”- shtoi Elshani.

12:29h – Vendosja e kabinës së votimit në Soqanicë mund ta rrezikojë fshehtësinë e votimit

Në fshatin Soqanicë të komunës së Leposaviqit është shënuar vota e katërt pro apo kundër largimit të kryetarit të Komunës.

KALLXO.com ka siguruar pamje teksa qytetari po ushtronte të drejtën e votës.

Gjatë këtij procesi është parë se kabina e votimit nuk është e kthyer nga muri, dhe rrjedhimisht votuesi nuk mund ta ketë privatësinë e plotë gjatë plotësimit të fletëvotimit.

Po ashtu në këtë vendvotim afërsia e qytetarëve me kabinën ku votohet është tejet e afërt dhe kjo mund të rrezikojë fshehtësinë e votimit.

(Shënim: Pjesën e videos në momentin kur voton qytetari, Redaksia e KALLXO ka vendosur ta mbuloj pamjen pasi nuk ka dashur ta rrezikojë fshehtësinë e votimit)

12:09h – Pjesëtarët e KFOR kanë hyrë edhe brenda qendrave të votimit në objektin komunal në Zveçan

Në fotografitë nga ekipi i KALLXO.com që po qëndron në Zveçan shihen disa nga ta duke lëvizur brenda qendrës së votimit.

Deri në orën 11:00 në këtë komunë sipas të dhënave të Komisionit Zgjedhor të Kosovës asnjë qytetar nuk ka votuar as për as kundër.

Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

11:58h – KQZ: Deri në orën 11:00 në tri komuna kanë votuar 85 persona, në Zveçan asnjë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar që deri në orën 11:00 kanë shfrytëzuar të drejtën e votës 85 persona në të katër komunat veriore, në të cilat po votohet për ose kundër shkarkimit të kryetarëve shqiptarë.

Sipas të dhënave që KQZ ka pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, rezulton se në Leposaviq kanë votuar deri tani 46 votues, në Zubin Potok 7 dhe në Mitrovicë e Veriut 32 votues.

Ndryshe nga komunat tjera, në pjesën e parë të ditës, saktësisht deri orën 11:00, asnjë person nuk ka votuar në Zveçan.

KQZ ka ftuar të gjithë qytetarët e komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë të tyre për të marrë pjesë në procesin e votimit dhe të deklarohen nëse janë për apo kundër.

11:22h – Katër orë nga hapja e qendrave të votimeve, ende asnjë votë në Zveçan

Janë bërë katër orë që nga hapja e pesë qendrave të votimit në Zveçan, mirëpo asnjë qytetar nuk e ka shfrytëzuar ende të drejtën e votës.

Këtë të drejtë në këtë komunë e gëzojnë gjithsej 7 mijë e 201 qytetarë.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com zëvendëskryesuesi i KKZ-së, Shaban Rexha.

Ekipi i KALLXO.com që është duke raportuar nga Zveçani ka vizituar të gjitha qendrat e hapura për votim.

Aty është parë që prezent janë personat përgjegjës për mbarëvajtjen e këtij procesi, madje është parë se në të gjitha qendrat prezente kanë qenë edhe Policia e Kosovës.

Këta të fundit janë duke u përkujdesur që siguria të jetë në nivel dhe të mos ketë ndonjë incident të mundshëm.

Në anën tjetër, edhe pjesëtar të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR e edhe ekipe të EULEX në vazhdimësi shihen në lëvizje duke monitoruar situatën.

10:12h – Ministri Krasniqi: Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka deklaruar se detyrë e tyre ka qenë që ta krijojnë mundësinë që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre me votën pro apo kundër largimit të kryetarëve të komunave.

Ai theksoi se detyrë e shtetit ka qenë edhe organizimi i procesit të votimit.

Teksa ka folur për Listën Serbe, Krasniqi tha se kjo parti dëshiron që ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë, duke shtuar se “ata i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët”.

“Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë. Ata i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Ata vazhdojnë t’i kenë ulëse të rezervuara për komunitetin serb në Kuvend dhe mos t’i përfaqësojnë interes të qytetarëve, mirëpo t’i marrin pagat e Kuvendit. Tashmë qytetarët me votim deklarohen se a janë pro largimit të kryetarëve ose jo”- tha Krasniqi.

“Ju bëj thirrje qytetarëve që t’i përgjigjen kësaj mundësie të votojnë dhe vullneti i tyre të shkojë deri në fund”- shtoi ai.

Elbert Krasniqi – Ministër i MAPL-së – 21.04.2024

10:57h – Në qendrën kryesore në Mitrovicë të Veriut “IBCM” deri më tani kanë votuar vetëm dy qytetarë

Vetëm dy vota me kusht janë regjistruar në qendrën kryesore të votimit në Mitrovicë të Veriut IBCM, ku po zhvillohet procesi i votimit pro apo kundër largimit të kryetarit të komunës.
Kështu ka thënë, Besnik Gashi mbikëqyrës i kësaj qendre.

“Janë 9253 votues të regjistruar, vetëm dy deri tash kanë dalë me votu”- ka thënë Gashi.

Qendrat e votimit janë hapur në ora 07:00h.

10:33h – KFOR-i dhe Policia e Kosovës duke monitoruar situatën në Banjskë të Zveçanit

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR dhe Policia e Kosovës janë duke monitoruar situatën në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku po zhvillohet procesi i votimit pro apo kundër largimit të kryetarit.

Deri më tani në këtë qendër të votimit nuk është shënuar asnjë votë.

KFOR-i dhe Policia e Kosovës në Banjskë – Zveçan – 21.04.2024

10:23h – Prokurori i Shtetit po mbikëqyrë votimin për/kundër shkarkimit të kryetarëve të komunave në veri

Prokurori i Shtetit ka njoftuar opinionin publik se është duke mbikëqyrë procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve në katër komunat e Republikës së Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Sipas një njoftimi për media, që nga ora 07:00h, prokurorët e shtetit së bashku me Policinë e Kosovës janë të angazhuar, në stacione policore të katër komunave gjegjëse, për të mbikëqyrë për së afërmi mbarëvajtjen e procesit të votimit dhe janë në gjendje gatishmërie.

“Që nga ora shtatë e mëngjesit të ditës së sotme, prokurorët e shtetit së bashku me Policinë e Kosovës janë të angazhuar, në stacione policore të katër komunave gjegjëse, për të mbikëqyrë për së afërmi mbarëvajtjen e procesit të votimit, të cilët janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit”- thuhet në komunikatë.

Po ashtu në komunikatë theksohet se, Prokurori i Shtetit me qëllim të parandalimit të çdo parregullsie që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile, të bashkëpunojnë dhe raportojnë në Polici dhe Prokurori për të gjitha pretendimet eventuale lidhur me keqpërdorimet lidhur me këtë proces.

09:59h – Asnjë qytetar nuk ka votuar deri me tani në Soqanicë të Leposaviqit

Në fshatin Soqanicë të komunës së Leposaviqit nuk është regjistruar asnjë votues, që nga hapja e kësaj qendre votimi në ora 07:00.

Në komunën e Leposaviqit janë gjithsej tetë qendra të votimit dhe të drejte vote kanë 4 mijë e 286 votues.

09:51h – Votimi për ose kundër shkarkimit të kryetarëve të komunave në veri, deklarohet për media kryesuesi i KKZ-së në Leposaviq

Kryesuesi i KKZ-së në komunën e Leposaviqit, Zoran Stojanoviq është deklaruar në lidhje me procesin e votimit për ose kundër shkarkimit të kryetarit Lulzim Hetemi.

Stojanoviq tha se deri më tani informatat janë se të gjitha qendrat e votimit janë hapur, teksa shoti se përveç disa problemeve teknike, çdo gjë është duke shkuar sipas planit.

“Deri më tani informatat që i kemi nga menaxherët e qendrave janë hapë të gjitha qendrat e votimit. Në komunën e Leposaviqit i kemi tetë qendra të votimit. Në qendra të votimit, përveç problemeve teknike, çdo gjë është duke shkuar në bazë të planit”.

“Kemi pasë një vonesë në ardhjen e anëtarëve të këshillave në vendvotim. Komuna e Leposaviqit e ka një pozitë gjeografike me një territor shumë të madh edhe nuk kemi mundur për shkaqe teknike por prapë kemi mundur me i hap [qendrat]”- ka deklaruar Stojanoviq.

Ndërsa Selim Mehmeti, zëvendës kryesues, ka folur edhe për mos lejimin e votimit në shkolla.

“Shkollat në komunën e Leposaviqit e kemi pasë një inspektim më 5 prill. Pas 5 prillit me një bojkot nga Lista Serbe, nuk na u ka leju shkolla. Preteksti se përse nuk lejohen shkollat më 21 prill është se “i kemi disa aktivitete shkollore”- tha Mehmeti.

Mehmeti tha se për numrin e votuesve do t’i kenë informatat në ora 11:00.

“Në bazë të reformës zgjedhore që ka ndodhur, tash kemi kamerat. Risi tjetër e kemi edhe votimin me kusht”- ka shtuar ai teksa ka folur për procesin e votimit.

Zoran Stojanoviq, kryesues i KKZ në Leposaviq dhe Selim Mehmeti zv/kryesues – 21.04.2024

09:23h – Nuk dihet ende a do të ushtrojë të drejtën e votës kryetari Lulzim Hetemi

Ndonëse të drejtën e votës pro apo kundër shkarkimit të tij ai mund ta ushtroj në Qendrën e Votimit në Koshtovë, kryetari aktual i Leposaviqit ka qenë i paqasshëm për të komentuar procesin që po zhvillohet sot në katër komunat në veri të vendit.

Qendra më e madhe e votimit në Leposaviq konsiderohet ajo që është vendosur në objektin e komunës.

KALLXO.com ka tentuar qe të kontaktoj me Hetemin për të parë nëse i njëjti do të votoj.

Aktualisht në qendrën e votimit e cila gjendet në objektin e komunës së Leposaviqit kanë votuar shtatë persona, pesë nga ta komisionerë.

Në këtë qendër të drejte vote kanë 4 mijë e 286 votues.

09:14h – Ambasadori i BE-së, viziton qendrën e votimit në Bërnjak

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog po viziton qendrën e votimit në fshatin Bërnjak të Zubin Potokut, duke monitoruar nga afër procesin e votimit “për” apo “kundër” shkarkimit të kryetarit të kësaj komune, Izmir Zeqiri.

Gazetari i KALLXO.com, Valon Fana, i cili po qëndron këtë komunë ka sjellë pamje në të cilat shihet ambasadori në qendrën e votimit.

Sipas gazetarit, në këtë pikë nuk ka energji elektrike, derisa po operohet me një gjenerator. Zyrtarët e kësaj qendre kanë thënë se një kabllo është prishur.

Tomas Szunyog – Ambasador i BE-së në Kosovë – 21.04.2023

08:56h – Në qendrën e votimit në ish-objektin komunal të Mitrovicës së Veriut nuk ka votuar asnjë qytetar deri më tani

Në qendrën e votimit në ish-objektin komunal të Mitrovicës së Veriut, ende asnjë qytetar nuk e ka ushtruar të drejtën e votimit pro apo kundër largimit të kryetarit, Erden Atiq.

Kryesuesja në qendrën e votimit në ish objektin komunal, Emine Balaj ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se, qendra e votimit është e hapur nga ora 07:00 teksa asnjë votues nuk ka ardhur akoma.

“Pres që zgjedhjet të shkojnë mirë”- tha Balaj.

Gazetarja e KALLXO.com, Florinda Kelmendi pak më parë raportoi se në qendrën e votimit “Aziz Sylejmani” në Suhodoll nuk ka votuar asnjë qytetar. Përderisa tre qytetarë, dy shqiptarë dhe një boshnjak kanë votuar në Qendrën e votimit në komunën e Mitrovicë të Veriut.

Vendvotim në Mitrovicën Veriore – 21.04.2024

08:50h – Shtatë qytetarë votuan në Leposaviq

Në komunën e Leposaviqit deri më tani janë shënuar shtatë vota në procesin e votimit pro apo kundër largimit të kryetarit të Komunës, Lulzim Hetemi.

Gazetarja që po qëndron në këtë komunë, Adelinë Ahmeti, raporton se deri më tani kanë votuar pesë komisionerë dhe dy qytetarë.

Këta qytetarë kanë ushtruar të drejtën e tyre të votimit me kusht.

08:40h – Situata në fshatin Lipë të Zveçanit, ende nuk ka ndonjë votues

Në fshatin Lipë të komunës së Zveçanit ende nuk është paraqitur ndonjë qytetar për të ushtruar të drejtën e votimit pro apo kundër largimit të kryetarit, Ilir Peci.

Eshref Peci, menaxher i qendrës së votimit në Lipë, ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se nuk ka pasur ndonjë incident edhe se gjendja është e mirë.

“Gjendja është e mirë, në ora 7 është hapur qendra e votimit. E kemi veç një vendvotim. Deri më tani nuk kemi ndonjë votues. Nuk kemi pas ndonjë incident. Kamera prej KQZ është vendosur” – ka thënë Peci.

Vendvotimi në fshatin Lipë të Zveçanit - 21.04.2024
Vendvotimi në fshatin Lipë të Zveçanit – 21.04.2024

08:33h – KQZ u bën thirrje qytetarëve në veri që të votojnë pro apo kundër largimit të kryetarëve

Komisioni Qendror Zgjedhor u ka bërë thirrje qytetarëve në katër komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në procesin e votimit dhe të deklarohen nëse janë për apo kundër largimit nga funksioni i kryetarit të komunës së tyre.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media.

“Në emër të KQZ-së, ftoj të gjithë qytetarët e këtyre komunave, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë të tyre për të marrë pjesë në procesin e votimit dhe të deklarohen nëse janë për apo kundër largimit nga funksioni i kryetarit të komunës së tyre”- ka thënë Elezi.

Elezi tha se në bazë të dhënave që kanë pranuar nga Komisionet Komunale, të gjitha qendrat e votimit në katër komunat tashmë janë hapur.

“Duke u mbështetur në të dhënat që kemi pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, ju njoftojmë se janë hapur të gjitha qendrat e votimit në këto komuna. Edhe sipas njoftimeve të mëhershme të KQZ-së, numri i qendrave të votimit të komunës së Leposaviqit është 8, në Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut nga 5 sosh. Në përgjithësi numri i qendrave të votimit është 23, me gjithsej 63 vendvotime. Numri i qytetarëve me të drejtë vote për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve në komunat, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, është, 46 mijë e 556 votues”- njoftoi Elezi.

Valmir Elezi – Zëdhënës i KQZ-së – 21.04.2024

08:17h – A do të votojë Ilir Peci pro apo kundër shkarkimit të vetvetes?

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci ka deklaruar se në komunën e tij gjithçka është gati për procesin e votimit pro apo kundër shkarkimit të tij.

Në një prononcim për KALLXO.com Peci tha se çdo pikë e vendovitimit është gatshme për pritjen e qytetarëve.

“Gjithçka është përgatitë, çdo pikë është hapur dhe është e gatshme për pritjen e qytetarëve. Deri më tani nuk ka probleme, gjithçka është në rregull”- tha Peci.

Peci tha se çdo vendim i qytetarëve, pro apo kundër shkarkimit të tij do të jetë i mirëseardhur.

“Gjithsesi do t’i presim, janë të mirëseardhur çdo vendim i qytetarëve, nëse qytetarët janë vendosur për të dalë për shkarkimin tonë patjetër se do e ndërpresim [detyrën]”, duke shtuar se “Deri më tani janë të knaqur qytetarët besoj gjatë punës sonë afërsisht një viti. Shpresoj se kjo do të vazhdojë sepse kemi bo punë të mirë për aq sa kemi pasur mundësi deri më tani”.

Kryetari i Zveçanit tha se nuk e ka ndërmend fare që të dal të votojë pro apo kundër shkarkimit të vetvetes.

“Jo nuk do dal. Arsyeja është se çka me rrëzu veten. Nuk e kemi ndërmend as pro e as kundër”- ka deklaruar Peci për KALLXO.com.

Ilir Peci, kryetar i Zveçanit – 21.04.2024

07:53h – Ambasadori suedez monitoron nga afër procesin e votimit për shkarkimin e kryetarit në Zubin Potok

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund është parë duke monitoruar nga afër procesin për votimin e shkarkimit të kryetarit në komunën e Zubin Potokut.

Gazetari i KALLXO.com, Valon Fana i cili po qëndron këtë komunë, ka sjellë pamje në të cilat shihet ambasadori para objektit komunal.

Foto: Valon Fana, KALLXO.com

07:52h – Hapen të gjitha qendrat e votimit në komunën e Zubin Potokut

“Do të kishte 14 qendra të votimit me 15 vendvotime duke marrë parasysh edhe vendvotimin me kusht. E kemi vetëm një vendvotim me kusht. I kemi 5 qendra të votimit me 11 vendvotime. Janë hapur të gjitha qendrat e vendvotimit në Komunën e Zubin Potokut, për shkarkimin e kryetarit”- tha për KALLXO, Agim Kastrati nga KKZ.

Kastrati njoftoi se është reduktuar numri i qendrave të vendvotimeve nga 15 në 11 dhe nga 14 qendra në 5. Sipas tij kjo ka ndodhur për shkak të disa vendimeve politike që lidhet me moslirimin e objekteve të shkollave.

“Mund të ju konfirmoj me siguri se të gjitha qendrat e vendvotimit në Komunën e Zubin Potokut tani vetëm sa janë hapur dhe janë të gatshme t’i presin votuesit e parë”- ka treguar Kastrati.

“Është angazhu Policia, materiali sensitiv ka arritur në kohën e duhur, kemi arritë gjithashtu ne stafi i KKZ përveç disa problemeve teknike, nuk kemi pasë diçka tjetër. Bartja e materialit ka përfunduar është shpërndarë në qendra të votimit, kryesuesit i kanë pranuar kutitë dhe janë të gatshme qendrat dhe janë funksionale”- tha ai.

Kastrati theksoi se shkollat të cilat duhet të ishin qendra të votimit nuk janë liruar për procesin e votimit.

“Shkollat të cilat kanë qenë dashtë të jenë qendra të votimit, ka pasë pengesa, që nuk marr përgjegjësi të jap një deklaratë në lidhje me to. Ne e kemi pasë planin B dhe kemi filluar të punojmë përmes planit B sipas vendimit të KQZ”- u shpreh ai.

“Unë personalisht ndihem shumë i sigurtë, nuk kam asnjë problem sa i përket sigurisë posaçërisht se këtu jemi në objektin e komunës ku janë edhe Policia”- shtoi Kastrati.

Kastrati tha se nuk ka informacione deri tash nëse dikush e ka shfrytëzuar të drejtën e votës.

07:35h – Hapen vendvotimet në objektin komunal në Zveçan

Në komunën e Zveçanit janë hapur vendvotimet në objektin komunal, duke shënuar nisjen e procesit për shkarkimin e kryetarit.

Kështu ka thënë në një prononcim për KALLXO.com, Shaban Rexha, zëvendëskryesues nga KKZ në qendrën e votimit në objektin komunal në Zveçan.

“Në objektin komunal në Zveçan janë hapur të gjitha vendvotimet, ka fillu procesi krejt në rregull jemi”– ka thënë Rexha.

Gazetarja e KALLXO.com, Shkodrane Dakaj që po qëndron në Zveçan, ka raportuar se në këtë komunë janë shtatë qendra të votimit ndërsa numri i votuesve është deri në 7,200 votues.

Në objektin komunal në Zveçan është qendra më e madhe e votimit në të cilën janë pesë pjesë ku do të votohet nga qytetarët serb, përderisa është edhe një qendër që do të jetë vetëm për qytetarët që do votojnë me kusht.

07:31h – Vendvotimet në Qendrën votuese në Mitrovicë të Veriut tashmë janë gati për qytetarët që duan ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar për shkarkimin e kryetarit të Komunës Erden Atiq.

Vendvotim në Mitrovicën Veriore – 21.04.2024
Vendvotim në Mitrovicën Veriore – 21.04.2024
Vendvotim në Mitrovicën Veriore – 21.04.2024

07:22h-  Në qendrën e votimit në Mitrovicën e Veriut nuk është parë ende ndonjë votues që ka shkuar që të votojë.

Gazetarja e KALLXO.com, Florinda Kelmendi që po raporton nga vendi ngjarjes ka parë se brenda kësaj qendre, janë duke u përgatitur materialet për votim dhe ekipi policor është në vendin e ngjarjes.

Qendra votuese në Mitrovicën Veriore – 21.04.2024

07:17h – Në tri qendra të votimit në komunën e Leposaviqit, ekipet e KQZ-së kanë bërë shpërndarjen e materialeve për votim dhe vendosjen e kamerave të sigurisë, për të ofruar një proces të sigurtë.

Gazetarja e KALLXO.com, Adelinë Ahmeti e cila po raporton nga vendi i ngjarjes, është vendosur brenda objektit të Komunës së Leposaviqit për të parë nga afër vendosjen e kamerave të sigurisë.

Kryesues i Këshillit të vendvotimit, Artan Mezraja në një prononcim për KALLXO.com tha se tashmë materiali për votim ka ardhur dhe po provojnë që ta rregullojnë sa më shpejtë të jetë e mundur.

“Nuk kam informacion se ka ndodhur për transportin e materialeve zgjedhore, ne jemi përgjegjës vetëm brenda këtij vendvotimi. Tash materiali ka ardhur, e futëm në vendvotim dhe po provojmë ta rregullojmë sa më shpejtë të jetë e mundur”- tha Mezraja.

Mezraja theksoi se janë 1,783 votues në dy vendvotime brenda qendrës së votimit.

07:06h – Nis vendosja e kamerave të sigurisë në një qendër të votimit në Zveçan.

Në qendrën e votimit në komunën e Zveçanit janë duke u vendosur kamerat e sigurisë nga KQZ-ja brenda sallës së objektit ku do të votohet.

Salla gjendet brenda objektit komunal, në katin e tretë.

KQZ kishte vendosur se plani i saj për të vendosur kamera vëzhguese në vendvotime gjatë votimit për zëvendësimin e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri këtë muaj, vlen për të “gjitha proceset e ardhshme” zgjedhore në vend.

“Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim”- kishte thënë zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezi.

06:55h – Shpërndarja e materialeve për votimin lidhur me referendumin për shkarkimin e katër kryetarëve të komunave në veri të vendit është duke u bërë nën masa të rrepta të sigurisë.

KALLXO ju sjellë pamje nga komunat ku pritet që të nisë procesi i votimit.

Në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq sot pritet të votohet “për” apo “kundër” shkarkimit të kryetarëve të komunave.

Nga liderë institucionalë dhe faktorë ndërkombëtarë është bërë thirrje që qytetarët të dalin për të votuar, ndërkohë që Lista Serbe ka bërë thirrje për të kundërtën. Dhe, nëse ky proces dështon, atëherë iniciativë e ngjashme nuk mund të bëhet para 12 muajsh.

Ekipet e KALLXO.com do të raportojnë në kohë reale lidhur me procesin e votimit në këto katër komuna.

Shërndarja e materialeve nga KQZ-ja – 21.04.2024
Shërndarja e materialeve nga KQZ-ja – 21.04.2024
Shërndarja e materialeve nga KQZ-ja – 21.04.2024
Shërndarja e materialeve nga KQZ-ja – 21.04.2024
Shërndarja e materialeve nga KQZ-ja – 21.04.2024

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat në veri të vendit është 46 mijë e 556, apo 1 mijë e 461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit të mbajtura më 23.04.2023.

Udhëzim Administrativ i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal i cili i ka hapur rrugë këtij procesi e përcakton që kryetari i komunës konsiderohet i larguar nga posti nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të tij.

Nëse shpallet një rezultat i tillë nga KQZ-ja, atëherë presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, brenda afatit ligjor prej 30 deri në 45 ditë shpall datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse konstatohet përfundimisht që iniciativa për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, apo ka dështuar për shkak të mosplotësimit të kushtit për votimin e 50%+1 të votuesve për largim e kryetarit nga funksioni, iniciativa tjetër me kërkesë të njëjtë, nuk mund të iniciohet para kalimit të afatit prej 12 muajsh.

Numri i Qendrave të Votimit në komunën e Leposaviqit është 8, në Zubin Potok 5, në Zveçan 5 dhe në Mitrovicën e Veriut 5.

Në Leposaviq janë 13 mijë e 674 votues, në Zubin Potok 6 mijë e 877 votues, në Zveçan 7 mijë e 209 votues dhe në Mitrovicën e Veriut 18 mijë e 796 votues.

Në Leposaviq nga 19 Qendra të mëhershme të votimit, për procesin e shkarkimit të kryetarëve shqiptarë aktualisht është vendosur që të votohet në 8 Qendra Votimi të tjera, në Objektin Komunal- Leposaviq, në objektin komunal Soqanicë, në një objekt privat në Rëvastakë, në një objekt shtetëror në fshatin Dren, në objektin e Nsgh univerzal në Leshak, në një objekt në Kushtovë, në një objekt privat afër stacionit të autobusëve në Leposaviq dhe në shkollën fillore “Kadri Bistrica” në Bistricë.

Në Zubin Potok do të votohet në pesë Qendra Votimi në objektin e komunës, një objekt publik në Mala Jabuka, te Ura e Bubës, Bërnjak dhe në shkollën fillore “Osman Rama”.

Në Zveçan procesi i votimit do të zhvillohet në objektin komunal Shkollën Fillore të mesme të ulët “Isa Boletini” në Zhazhë dhe shkollën tjetër në Lipë, në Banjskë dhe në objektin komunal në Zhitakovc.

Në Mitrovicën e Veriut do të votohet në shkollën fillore “Aziz Sylejmani” në Suhodoll, objektin e komunës në Lagje të Boshnjakëve, në shkollën fillore “Aziz Sylejmani” në Kodrën e Minatorëve dhe në ish- objektin komunal.

“Referendumi” në veri, dita e përcaktimit “për” apo “kundër” shkarkimit të kryetarëve të komunave

Raportimet e KALLXO – LINK