Mitrovica e Veriut, Foto: KALLXO.com

Paqartësi rreth peticionit për shkarkimin e udhëheqësve aktualë të komunave veriore të Kosovës

Kur kanë mbetur më pak se dy javë para se të skadojë afati për mbledhjen e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve aktual të katër komunave veriore, ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar lidhur me vijimësinë e këtij procesi, i cili është përshkuar deri tani me shumë paqartësi.

Grupet nismëtare të secilës komunë kanë dërguar kërkesat te kryetarët e kuvendeve komunale, që janë bartës të këtij procesi, për të organizuar peticionin që do të mundësonte largimin e kryetarëve të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, duke hapur rrjedhimisht rrugën për zgjedhje të reja lokale.

Kryetari i kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se grupi që ka parashtruar kërkesë për peticion për largimin e kryetarit të kësaj komune, ende nuk e ka njoftuar atë për vendin ku do të zhvillohet mbledhja e nënshkrimeve, ndonëse udhëzimi administrativ parasheh një gjë të tillë.

“Sipas udhëzimit administrativ, neni 6 – pika 5, ata obligohen të paralajmërojë kuvendin komunal për shfrytëzimin e hapësirës publike, institucionin ku do të mbajnë ata peticionin. Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim dhe sot do t’i njoftojmë se jemi të gatshëm të ofrojmë edhe hapësirat e institucionit të komunës për shërbim të kryerjes së peticionit”, tha ai.

Ndonëse thotë se nuk ka pasur asnjë kontakt me grupin nismëtar që nga dorëzimi i kërkesës për peticion në fund të dhjetorit, zoti Uglanin, shpreh bindjen se nënshkrimet do të mblidhen në kohë. Sipas udhëzimit administrativ, nënshkrimet duhet të mblidhen brenda 30 ditësh pas dorëzimit të kërkesës, dhe në rast të dështimit grupi nismëtar mund të kërkojë zgjatjen e afatit për 15 ditë të tjera.

“E dimë se janë të gatshëm t’i kryejnë obligimet për peticion për komunitetin shumicë serb dhe ne po presim se sigurisht meqë ishin festat, e festë e kanë edhe nesër – vitin e ri sipas kalendarit Gregorian, pas festave sipas njoftimeve që i kemi ne nga terreni me 15 deri me 18 janar do të lajmërohen dhe do ta kryejnë peticionin”, thotë zoti Uglanin.

Në fillim të shtatorit të vitit të kaluar qeveria e Kosovës miratoi udhëzimin administrativ që i hap rrugë shpalljes së zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës përmes largimit të kryetarëve aktualë të komunave nëpërmjet një peticioni. Vendimi i qeverisë pasoi një periudhë tensionesh të larta këtu në pasi kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga serbët, u dërguan në zyrat e komunave veriore me mbështetjen e policisë mes kundërshtimesh e protestash të dhunshme në muajin maj.

“Jemi në një situatë pa rrugëdalje aktualisht. Qeveria e Kosovës ngurron të bëjë një hap para dhe të bëjë lëvizjen e parë. Në anën tjetër Beogradi padyshim se po përpiqet të nxisë nëpërmjet serbëve lokal deri te komuniteti ndërkombëtar qeverinë e Kosovës t’i tërheq kryetarët aktual dhe kjo nuk po ndodh natyrisht në praktikë. Kështu që kjo është situata e të gjitha palëve të përfshira në këtë proces”, i tha Zërit të Amerikës Miodrag Miliçeviç nga organizata joqeveritare AKTIV, me seli në veri të Mitrovicës.

Ai thotë se përparimi në këtë proces është shumë i ngadalshëm ndërsa këmbëngul se dorëheqja e kryetarëve do të ishte rruga më e shpejtë për shtensionim të plotë të situatës në veri.

Peticioni është një nga zgjidhjet por siç mund ta shihni dhe dëgjoni mbase nga burime të ndryshme, ka një konfuzion për shkak të mënyrave të ndryshme të interpretimit të udhëzimit administrativ. Përfundimisht përparimi është shumë i ngadaltë dhe mendoj se nuk është e drejtë t’u mbetet barra kryesore qytetarëve, por zgjidhja duhet të vijë nga qeveria dhe palët e interesuara politike”, thotë zoti Miliçeviç, ndërsa vlerëson se pa rregullimin e situatës në katër komunat veriore nuk mund të flitet për shtensionim të situatës dhe as për përparim në zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër vitin e kaluar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha të mërkurën se Kosova është treguar palë konstruktive duke theksuar se Bashkimi Evropian do të duhej të hiqte masat ndëshkuese të vëna ndaj Kosovës për shkak të tensioneve në veri.

“Masat vazhdojnë të jenë të padrejta, ato ishin të padrejta edhe në fillim për shkak që nuk iu adresuan palës e cila edhe i ka shkaktuar tensionet në veriun e vendit. Sidoqoftë si Kosovë kemi ndërmarrë të gjitha veprimet për të përmbushur detyrimet tona. Udhëzimi administrativ është hapi konkret i cili na mundëson të shkojmë drejt zgjedhjeve të parakohshme në veri të vendit”, tha zoti Krasniqi.

Organizimi i zgjedhjeve në katër komunat veriore është një nga tri kërkesat kryesore që diplomacia perëndimore i ka bërë Kosovës në funksion të shtensionimit të situatës në zonë.

Sipas udhëzimit administrativ kërkesa për largimin e kryetarit të një komune duhet të nënshkruhet nga të paktën 20 për qind e votuesve me të drejtë vote në të. Për të larguar kryetarin përmes peticionit duhet të votojnë 50 për qind plus një e votuesve me të drejtë vote, ndërkaq në rast të dështimit, nuk mund të organizohet një peticion tjetër përpara se të kenë kaluar 12 muaj./VOA