Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Shkarkohet sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Integrimit Evropian

Kushtrim Cukaj, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Integrimit Evropian, është shkarkuar nga kjo pozitë.

Zyra e Kryministrit ka njoftuar se Komisioni Disiplinor për Pozitat e Nivelit të Lartë Drejtues në Shërbimin Civil të Qeverisë së Kosovës pas shqyrtimit dhe vlerësimit të lëndës, si dhe në bazë të kompetencave të tij, mori vendim me të cilin ka shqiptuar masën disiplinore “Ndërprerje e marrëdhënies së punës” për Kushtrim Cukaj, Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Integrimit Evropian, për shkak të shkeljeve të rënda dhe të shumta të detyrave të punës gjatë ushtrimit të funksionit të tij në këtë pozitë.

“Shkeljet e konstatuara kanë të bëjnë me keqadministrimin në lidhje me kontratat e lobimit, kontratat mbi qiradhënien e objektit për MIE dhe kontratat për marrëveshje të veçanta të shërbimeve në administratën e institucionit,shkaktimin e dëmit financiar ndaj MIE-së, shkeljen dhe mos-përfilljen e obligimeve që burojnë nga marrëveshja ndërkombëtare nga projekti Skema Profesionistët e Rinj, shkeljen e Kodit të Mirësjelljes në Shërbimin Civil, marrjen e masave disiplinore në mënyrë të jashtëligjshme ndaj stafit të MIE-së, mos-kryerjen e obligimeve për vlerësimin e rregullt vjetor sipas procedurave ligjore, komunikimin joprofesional në raport me partnerët e jashtëm, si dhe refuzimin për të zbatuar vendimin administrativ të formës së prerë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Vendimi i Komisionit Disiplinor për Z.Cukaj SP-MIE