Shfuqizohet vendimi i vitit 2018, punëtorët e KEK-ut do të marrin thëngjill në formë dhurate

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në Komisionin për Ekonomi dhe Industri ka paraqitur raportin për gjendjen me krizën energjetike dhe vendimet e marra nga ana e qeverisë.

Ajo njoftoi se është shfuqizuar vendimi i vitit 2018 që ndalonte dhurimin e thëngjillit për punëtorët e KEK-ut.

“Përveç ndalimit të prodhimit të kriptovalutave, vendimet e tjera, masa detyruese në institucione, eksporti dhe rieksporti i lëndëve djegëse, është shfuqizuar vendimi i datës 23.10.2018 për ndalimin e dhënies së thëngjillit në formë dhurate për punëtorët e ndërmarrjes KEK, të gjitha këto janë bërë me rekomandim të Komitetit Teknik Emergjent”- ka deklaruar Rizvanolli.

Me shumicë votash Komisioni e ka miratuar vendimin e Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë.

Ministrja e Ekonomisë potencoi se muaj më parë disa njësi të KEK-ut kanë qenë jashtë operimit si shkak i ndërhyrjeve.

“Evropa është duke vazhduar të kalojë në krizë energjetike edhe më të rëndë se viti i kaluar. Ne duke qenë se jemi në një kohë kur moti po fillon të ftohet, para disa muajsh kemi pas edhe disa njësi jashtë operimit për shkak të ndërhyrjeve që është dashur të bëhen për përgatitjet për dimër”- tha ajo duke shtuar se kjo ka qenë arsyeja pse kanë kërkuar masa para dy muajsh dhe që po kërkojnë edhe tani.

Ajo po ashtu tregoi se po vazhdon subvencionimi i faturave të energjisë elektrike dhe kjo do të vazhdojë edhe gjatë muajve në vijim.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala, tha se ka vërejtje në raport pasi nuk ka aktivitete të përshkruara.

Derisa, Pal Lekaj deputet i AAK-së, tha se masat që janë marrë, janë të pamjaftueshme.

“Qytetarët në gjithë territorin e Kosovës ballafaqohen me mungesë të energjisë elektrike. Çdo komunë ka probleme, në çdo komunë thuhet se po riparohet dhe prapë nuk po sanohet gjendja. Është hera e katërt që po kërkoni për zgjatjen e masave. Mendoj që ne kemi me hy në krizë të thellë energjetike” – tha Lekaj.

“Po flitet që deri në 1 mijë euro do të shkojë megavati. Në këtë drejtim mendoj që sa ju jeni të përgatitur ta kalojmë këtë krizë dhe qytetarët tanë të kenë furnizim të rregullt me energji”- shtoi më tej Lekaj.

Ministrja Rizvanolli tha se do të ketë fushata të vetëdijësimit për kursim ku pritet që në kuadër të ligjit  të çmimeve esenciale, është edhe çmimi i peletit.

“Jemi duke intensifikuar veprimet e institucioneve për të parandaluar rrjedhjet e energjisë elektrike. Duhet të jemi të sinqertë të gjithë. Po na pret një dimër i vështirë. Tërë Evropën po e pret dimri i vështirë. Pritet të përballen me krizë të rëndë deri në reduktime.  Duhet të jemi të vetëdijshëm për situatën që e kemi nuk është koha për ta fajësuar njëri tjetrin. Duhet të bëhemi gjithë bashkë dhe të jemi të sinqertë me qytetarët. Nuk duhet të tallemi me thirrjet për kursim të energjisë elektrike”- shtoi Rizvanolli.

Ajo tha se kanë diskutuar me bizneset e mëdha ku ju kanë treguar se sa më shumë ata bëjnë që ta ulin konsumin e energjisë gjatë dimrit, gjasat janë që të kenë konsum të rregullt.

Mimoza Kusari Lila tha se frikësohet që përfundimi i këtij vendimi do të jetë në fund të tetorit.

“Kosova nuk e ka mundësinë më të shtyjë masat emergjente. 60 ditëshi i parë ka qenë në pranverë ky është 30 ditëshi shtesë”- shtoi Kusari Lila.

Sa i përket krizës, Kusari-Lila tha se është me rëndësi që Kosova nuk është e vetme në këtë situatë.

Ministrja Rizvanolli tha se masa emergjente mund të kërkohen sipas ligjit deri në përfundimin e procesit të ngrohjes ose deri në muajin mars.

Por, sipas saj, nëse ju duhet të rishpallin masa emergjente pas këtij afati, do të duhet t’i rishpallin prej fillimit e jo të kërkojnë vazhdim.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala, gjithashtu ka kërkuar të dijë nga ministrja se çka kanë ndërmarr për minierat nëntokësore duke përmendur rastin ku mbetën të ngujuar punëtorët e Trepçës.

Rizvanolli tha se Trepça është në treg të liberalizuar, është furnizuar vazhdimisht dhe nuk është prekur nga reduktimet.

“E dimë që Trepça ka probleme të mëdha i kemi rrit vitin e kaluar subvencionet dukshëm. Kemi kërkuar llogari nga bordi dhe menaxhmeti i Trepçës që të bëjnë maksimumin ta kursejnë energjinë elektrike. Ata kanë ndërmarr masa”- tha Rizvanolli.

Deputeti Armend Muja ka hedhur akuza ndaj kryetarit të komisionit Ferat Shala duke i thënë se “Trepçën e ke shkatërruar ti”.

“Kërkushi s’je as politikisht, as intelektualisht kërkushi s’je me ma drejtu gishtin, je i paditur e problematik, i shfrytëzon mediat”.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 23 shtatorit kishte marrë vendim për zgjatjen e Masave Emergjente në Furnizimin e Energjisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, i propozon Kuvendit të Republikës së Kosovës, zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë, me qëllim të normalizimit të plotë të gjendjes në nivel të shtrirjes dhe kohëzgjatjes së nevojshme, edhe prej tridhjetë (30) ditësh”- thuhet në vendim.