Shefi i Zyrës së BE-së: Po i përcjellim zgjedhjet në Kosovë

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyok ka deklaruar se Zyra e BE-së në Kosovë dhe Shefat e Misioneve të Shteteve Anëtare të BE-së në Kosovë po i ndjekin me vëmendje të madhe përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Nënvizojmë rëndësinë e zgjedhjeve transparente, të besueshme dhe përfshirëse. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse të Kosovës që të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare, të lirë nga presioni politik dhe t’i respektojnë vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjyqësorit. Inkurajojmë qytetarët e Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar duke i respektuar të gjitha masat kundër pandemisë COVID-19”, thuhet në letrën e shefit të Zyrës së BE-së, Tomas Szunyok.

Ai ka njoftuar se BE ka dërguar një mision të ekspertëve të zgjedhjeve në Kosovë për të mbuluar të gjithë procesin e votimit.

“BE ka dërguar një Mision të Ekspertëve të Zgjedhjeve (EEM) në Kosovë që mbulon të gjithë procesin e përgatitjes së zgjedhjeve, votimit dhe numërimit, duke përfshirë fazën e ankimimit. EEM do ta përgatitë një raport për zgjedhjet duke përfshirë rekomandimet se si të përmirësohet dhe forcohet më tej procesi zgjedhor”, thuhet tutje në komunikatë.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt.