Zyra e BE-së e uron Feride Rushitin dhe QKRMT-në për nominimin për çmimin Nobel për Paqe

Feride Rushiti dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) janë nominuar për çmimin Nobel për Paqe 2025.

Zyra e BE-së në Kosovë, e ka uruar Rushitin dhe QKRMT-në, duke theksuar punën e saj dhe të Qendrës që nga viti 1999.

“Urime Feride Rushiti dhe QKRMT – Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës për nominimin e tyre për Çmimin Nobel për Paqe! Që nga viti 1999, ata kanë mbështetur dhe u japin zë viktimave të torturës dhe traumës, përfshirë të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës. Ju urojmë suksese për t’u bërë fitues të Nobelit!”- ka shkruar Zyra e BE-së më 18.01.2025.

Nominimi është bërë nga deputeti i Parlamentit të Suedisë, Magnus Jacobsson.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, deklaroi se nominimi për çmimin Nobel për Paqe për të dhe për organizatën që e drejton është një vlerësim për Kosovën dhe kauzën për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Më 16.01.2025,  Rushti njoftoi se së bashku me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QKRMT) është nominuar nga deputeti i Parlamentit suedez,  Magnus Jacobsson, për çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025.

Rushiti tha gjatë konferencës për media më 17.01.2025 se ky nominim është një vlerësim për punën 25-vjeçare që ka bërë QKRMT-ja për kauzën, konkretisht për rehabilitimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, por edhe një vlerësim që i bëhet Kosovës. Ajo tha se ky nominim do të fuqizojë zërin e viktimave të dhunës seksuale.

Ndërkaq në një bisedë për KALLXO.com, deputeti suedez Magnus Jacobsson tha se gjatë një vizite që kishte pasur në Kosovës në vitin 2022, kishte parë edhe punën e mirë që po bënte QKRMT-ja për rehabilitimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Shpresoj që çmimi Nobel për Paqe, i cili shpesh shkon për OJQ-të të cilat punojnë për këto lloj çështjesh dhe mendoj që situata historike në Ballkan por po ashtu edhe realiteti që akoma nuk kemi atë që ne në Skandinavi e quajmë “Paqe të ngrohtë”, kur ka paqe me marrëdhënie të mira. Akoma është një situatë që ka paqe por jo marrëdhënie të mira. Shpresoj të ngris situatën dhe po ashtu të theksohet se sa është e rëndësishme të shohim situatën e grave në luftë. Mendoj që janë një organizatë shumë e mirë dhe shpresoj që Komiteti i Çmimit Nobel për Paqe do të vazhdojë me sugjerimin tim”- tha ndër të tjerash deputeti sudez në një bisedë për KALLXO.com më 17.01.2025.

Çmimi Nobel për Paqe zakonisht bëhet i ditur në muajin tetor të çdo viti.