Foto: BIRN

Zgjedhjet e 14 shkurtit, kritikat e ekspertëve evropianë për fushatën elektorale

Ekspertët e zgjedhjeve të Bashkimit Evropian në Kosovë, kanë konstatuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka kufizuar kërkesën për raportim vetëm në të ardhurat dhe shpenzimet e bëra gjatë 10 ditëve të fushatës zyrtare për zgjedhjet e 14 shkurtit, që që sipas tyre, kjo e zvogëloi ndjeshëm transparencën dhe llogaridhënien.

KALLXO.com e ka siguruar raportin e ekspertëve të BE-së me gjetjet për procesin zgjedhor të 14 shkurtit, i cili ende nuk është publik.

“Korniza rregullative për financimin e fushatës përmban kufizime për donacione dhe shpenzime, raportim, shpalosje, mbikëqyrje dhe sanksione. Ligji parasheh raportimin e të ardhurave dhe shpenzimeve të fushatës për një perudhë prej 90 ditësh para ditës së zgjedhjeve. Sidoqoftë, në përputhje me praktikën e kaluar, KQZ e kufizoi kërkesën për raportim vetëm në të ardhurat dhe shpenzimet e bëra gjatë 10 ditëve të fushatës zyrtare, gjë që zvogëloi ndjeshëm transparencën dhe llogaridhënien”, thuhet në raport.

Sa i përket mbulimit mediatik të fushatës, në raport theksohet se mediat dinamike në Kosovë u ofruan kandidatëve mundësi të shumta për të paraqitur mesazhet e tyre të fushatës dhe u siguruan votuesve qasje në pikëpamje të ndryshme politike.

Duke përmendur Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ekspertët kanë shtuar se transmetuesi publik ka dështuar të ishte i paanshëm në postimet e tij online, ndonëse ka respektuar detyrimet e tij ligjore dhe u ka dhënë kandidatëve hapësirë të njëjtë në transmetimet e tij.

Ekspertët evropianë tutje kanë njoftuar se interneti është platforma kryesore për kosovarët për t’u qasur në informacion dhe rreth 60 për qind e popullsisë i përdorin mediat sociale kryesisht Facebook-un.

“Shumë kandidatë përdorën reklama me pagesë në platformat sociale, por kostot e tyre ishin të panjohura për shkak të mungesës së transparencës dhe të rregullave”, thuhet në raport.

Sipas gjetjes, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë në gjendje të përfitojë nga prania e saj e fortë në internet dhe nga aftësitë e zhvilluara mirë për të joshur votuesit përmes mediave sociale.

Nga zgjedhjet e 14 shkurtit, fituese doli Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurti duke marrë mbi 50 për qind të votave të qytetarëve.

osrespektimi i masave kundër pandemisë gjatë fushatës, rinumërimi i votave për shkak të mospërputhjeve, gjatë procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, ishin edhe disa nga mangësitë që i ka evidentuar Misioni i Ekspertëve të Zgjedhjeve i BE-së në Kosovë në këtë raport.

Pas caktimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 14 shkurt 2021, BE-ja dërgoi një Mision të Ekspertëve të Zgjedhjeve të përbërë nga tre ekspertë të cilët mbërritën në Kosovë më 21 janar.

Qëllimi i tyre ishte mbledhja dhe analizimi i informacionit faktik, vlerësimi dhe raportimi për procesin zgjedhor kundrejt zotimeve, standardeve dhe praktikave të mira ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.

Kosova këtë vit do të organizojë edhe një palë zgjedhje, ato lokale të cilat do të mbahen më 17 tetor.

Lëmshi me votat jashtë Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit, sipas ekspertëve të BE-së