Foto: MPJD

Zyra e BE-së: Kosova të rishqyrtojë vendimin, Petkoviqit është dashur t'i lejohet vizita

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë i ka bërë thirrje Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e saj që ia ndaloi hyrjen në Kosovës, drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Zyra e BE-së ka theksuar se vizita e Petkoviq është njoftuar në mënyrë të duhur në përputhje me marrëveshjen dhe për këtë arsye është dashur të lejohet vizita.

“Vizita e drejtorit Petkoviq është njoftuar në mënyrë të duhur në përputhje me marrëveshjen dhe për këtë arsye është dashur të lejohet të vazhdojë. I bëjmë thirrje Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të lejojë të bëhen vizita zyrtare që plotësojnë kushtet e mësipërme. I bëjmë thirrje Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të lejojë të bëhen vizita zyrtare që plotësojnë kushtet e mësipërme”, thuhet në përgjigjen për KALLXO.com të zyrtares për komunikim të Përfaqësuesit Special të BE-së, Monika Hoffa.

Hoffa tutje ka shtuar se presin që të dyja palët të zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e kaluara, përfshirë marrëveshjen për vizitat zyrtare.

“Vizitat zyrtare janë pjesë e rëndësishme e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi ato ofrojnë mundësi për më shumë ndërveprim dhe komunikim ndërmjet palëve. Sipas marrëveshjes, të gjitha vizitat duhet të kryhen në një mënyrë që të çojë përpara procesin e normalizimit ose të kontribuojë në punën e përgjithshme në kontekstin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet tutje në përgjigje.

Të enjten, KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

KALLXO.com ka raportuar më 23 nëntor se drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, edhe një herë i është ndaluar hyrja në Kosovë.

Petkoviq kishte planifikuar një vizitë nga data 3-25 nëntor, mirëpo një kërkesë për vizitë është refuzuar nga Ministrja Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPDJ).

Në një përgjigje për KALLXO.com, MPJD kishte treguar arsyen se pse është marrë një vendim i tillë për Petkoviq.

“Ky refuzim ka ndodhur për shkak se z. Petkoviq, duke shkelur marrëveshjet e lidhura, vizitat e tij të mëparshme në mënyrë të përsëritur i ka keqpërdorur për të nxitur përçarje në mes të komuniteteve dhe për të provokuar institucionet zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhej në përgjigje.

Poashtu nga MPJD kanë bërë të ditur se nëse Petkoviq përmbahet nga gjuha e urrejtjes, vendimi do të mund të rishqyrtohet.

Petar Petkoviqit i ndalohet hyrja në Kosovë