Shefi i Klinikës së Intensivës, Shaqir Uka, Foto: KALLXO.com

Shefi i Intensivës flet për gjendjen e të plagosurit në Gradicë të Drenasit

Një i mitur nga fshati Gradicë i Drenasit mbeti i vrarë, ndërsa babi i tij u plagos. Për këtë po dyshohet fiqnji i tyre së bashku me të birin e tij.

I gjithë rasti ndodhi të hënë, rreth orës 20:00, në një mal në afërsi të shtëpisë së viktimave.

Varrimi i të miturit pritet që të bëhet gjatë ditës së sotme, ndërsa gjendja e babait të tij i cili po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës vazhdon të mbetet e rëndë.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, edhe shefi i  Klinikës Intensive në QKUK, Shaqir Uka.

“Gjendja e tij po vazhdon të jetë e rëndë dhe kritike, pasi që ka pësuar lëndime serioze”, ka thënë Uka.

Sipas Ukës, i plagosuri ka pësuar lëndime të rënda në kokë.

“Lëndime janë shumë të rënda dhe janë në pjesën e kokës. Edhe më tutje po vazhdon të jetë në gjendjen e njëjtë”, tha Uka për KALLXO.com.

Motivet e vrasjes nuk dihen ende, as nga organet e rendit, e as nga familjarët e viktimës.

Hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë po vazhdojnë punën hetimore për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme ka qëndurar në shtëpinë e viktimës.

Sipas familjarit, Sokol Muja, familja ende nuk e di arsyen e këtij rasti tragjik, pasi sipas tij, vëllai me dorasin nuk kishte asnjë problem.

“Jemi fqinj, nuk kemi pasur asnjë problem, madje kemi pasur raporte të mira me të”, ka thënë Muja për KALLXO.com.

Ai ka mohuar edhe raportimet e mediave se rasti ka ndodhur për shkak të pronës.

“Vendi ku ka ndodhur rasti është pronë e shtetit, nuk ka pasur të bëjë me pronën, nuk kanë pasur problem me pronë, as për asgjë tjetër”, ka thënë Muja.

Sipas Mujës, djali i dorasit i cili të hënën ishte në vendin e ngjarjes, tash e dy vite punon me të dhe asnjëherë nuk kanë pasur asnjë problem.

Mëngjesin e djeshëm, KALLXO.com ka raportuar se dorasi i dyshuar i këtij rasti është vetëdorëzuar në Polici.

Flasin familjarët e të miturit i cili u vra mbrëmë në Gradicë të Drenasit