Flasin familjarët e të miturit i cili u vra mbrëmë në Gradicë të Drenasit

Një fëmijë, i cili ende nuk i kishte mbushur 15 pranvera,  u vra mbrëmë në Gradicë të Drenasit, në prani të babait të tij. Dorasi dyshohet se është një fqinj.

E gjitha ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 20:30, në një mal në afërsi të shtëpisë së viktimës.

Viktima kishte shkuar në mal me babanë e tij, ndërsa pas disa minutave, në po të njëjtin lokacion, kishin shkuar edhe i dyshuari me djalin e tij.

Motivet e vrasjes nuk dihen ende, as nga organet e rendit, e as nga familjarët e viktimës.

Hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë po vazhdojnë punën hetimore për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka shkuar në shtëpinë e fëmijës i cili mbeti i vrarë mbrëmë.

Sipas axhës së tij, Sokol Muja, familja ende nuk e di arsyen e këtij rasti tragjik, pasi sipas tij, vëllai me dorasin nuk kishte asnjë problem.

“Jemi fqinj, nuk kemi pasur asnjë problem, madje kemi pasur raporte të mira me të”, ka thënë Muja për KALLXO.com.

Ai ka mohuar edhe raportimet e mediave se rasti ka ndodhur për shkak të pronës.

“Vendi ku ka ndodhur rasti është pronë e shtetit, nuk ka pasur të bëjë me pronën, nuk kanë pasur problem me pronë, as për asgjë tjetër”, ka thënë Muja.

Sipas axhës së viktimës, djali i dorasit i cili mbrëmë ishte në vendin e ngjarjes, tash e dy vite punon me të dhe asnjëherë nuk kanë pasur asnjë problem.

Përveç viktimës së mitur, i cili mbeti i vrarë mbrëmë, edhe babai i tij u plagos rëndë dhe vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore, derisa po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Familja ka bërë të ditur se varrimi i të miturit do të bëhet gjatë ditës së nesërme, ndërsa nuk kanë pranuar që të flasin para kamerës në lidhje me rastin, pasi as familja ende nuk i di shkaqet e këtij rasti.

Mëngjesin e sotëm, KALLXO.com ka raportuar se dorasi i dyshuar i këtij rasti është vetëdorëzuar në Polici.

KALLXO.com ka mësuar se Xh.B., 54 vjeçar, sot rreth orës 8:30 është dorëzuar tek organet e rendit.

Arma e konfiskuar e cila po dyshohet se u përdor në vrasjen e plagosjen në Drenas, Foto: KALLXO.com

Gjithashtu nga i dyshuari është sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast, dhe ndaj të njëjtit siç mëson KALLXO.com kanë filluar menjëherë procedurat e nevojshme policore.

KALLXO.com ka raportuar mbrëmë për vrasjen e të miturit në fshatin Gradicë të Drenasit.

Vritet një person në Gradicë të Drenasit, mbetet i plagosur babai i tij