ShSKUK: Kërcënohet shefi i Mjekimit Intensiv të QKUK-së, Shaqir Uka

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka njoftuar se sot në vendin e punës, derisa po kryente detyrën e tij është kërcënuar doktor Shaqir Uka, shef i Mjekimit Intensiv Qendror në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas njoftimit, kërcënimi ka ndodhur nga familjari i një pacienti të shtrirë në këtë njësi.

“ShSKUK dhe Klinika e Anestezionit e Mjekimit Intensiv Qendror dënojnë këtë akt, duke kërkuar nga organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore dhe kryesi i kësaj vepre të marr dënimin meritor”- thuhet më tej në njoftim.

ShSKUK thekson se kanosjet e tilla “e vështirësojnë tejmase punën dhe pozitën edhe ashtu të rënduar të personelit në këtë njësi”.

“Puna në Mjekimin Intensiv është punë nën presion për shkak se në këtë njësi luftohet për jetën e pacientit, andaj kanosjet e tilla e vështirësojnë tejmase punën dhe pozitën edhe ashtu të rënduar të personelit në këtë njësi” – njofton ShSKUK-ja.