Alarmante: 71-vjeçari në gjendje të rëndë me oksigjen, Klinika Intensive nuk ka vend për pacientë

B.M nga Fushë Kosova po pretendon se para disa minutash babai i tij nuk u transferua nga Klinika e Pulmologjisë për në atë Intensive për shkak se në këtë të fundit nuk kanë më vend për pacientë.

B.M. në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se babai i tij, 71-vjeçar, që ka problem me mushkëri pas shërimit nga COVID-19 kanë shkuar në Klinikën Pulmolgjike në QKUK në Prishtinë.

Ai thotë se për shkak të situatës së rëndë të babait të tij me oksigjen, mjekët e këtij reparti i kanë thënë se pacienti duhet të transferohet për në Klinikën Intensive Qendrore.

Por, nga kjo klinikë, M. iu është thënë se nuk kanë vend më për pacientë. Pas disa minutave, atij iu është thënë që mund ta transferojnë në Intensive por në një repart ku ndodhen personat e infektuar me COVID-19. Gjatë bisedës me gazetaren e KALLXO.com M. tregon se në ato momente arriti edhe ambulanca për ta dërguar në atë repart.

“E kam babën në Pulmologji, e ka kalu COVID-in që tri javë. Oksigjeni po i bie, mjeku po i thotë që është për Intensivë, ata të Intensives thanë që na e kem plotë, nuk mujm me pranu. Këta [Pulomologjisë] nuk po e dinë ku me qu, babën duhet me shti në respirator se nuk mundet me mbijetu ndoshta as deri në mëngjes. Prej Intensives na thanë që na nuk jemi më ju gjetë vende por me i trajtu, s’kemi kapacitete, edhe ma kanë nënshkru raportin se nuk kanë vend. Tani më vonë me thanë, na mujmë me dërgu në një repart të ata që e kanë COVID-in e më pyeten se a po pranojë unë. Iu thash që ai duhet me ditë se është doktor jo unë, se di unë a i bjen këtij apët COVID-i….Tash jemi tu e dërgu atje, erdh ambulanca”, tha ai.

Betim Merdi, mjek kujdestar i Klinikës Intesive ka thënë për KALLXO.com se nuk kanë asnjë vend të lirë dhe se kapacitetet e tyre janë vetëm për 14 shtretër.

Për rastin në fjalë ai pohon se ka shkuar një anesteziolog për vizituar pacientin në Pulmologji ku edhe i kanë treguar se nuk kanë vend.

Merdi thotë se iu është thënë se vendi lirohet në rast që vdes njëri nga pacientët.

“Kapacitete tona janë 14 shtretër. Nuk kemi vend për respirator, asnjë vend të lirë nuk e kemi aty. Jo nuk ka vend në intensivë fare. Unë e kam dërgu kolegen në pulmologji e ka vizitu pacientin dhe i ka tregu që nuk ka vend në momentin që lirohet një vend lartë qoftë nëse dikush vdes, ne mund të bëjmë një zgjidhje për ndryshe kapacitetet tona janë të stërmbushura. Ka shku anesteziologu e ka vizitu pacientin në pulmologji, ka kontaktu me mjekun specialist dhe i ka tregu që nuk kemi kapacitete. Jemi me 14 shtretër dhe një pacient e kemi në shtrat emergjent”, u shpreh ai.

Të njëjtën situatë e ka konfirmuar edhe drejtori i Intensives, Shaqir Uka, i cili tha për KALLXO.com se të gjitha kapacitetet e Intensives janë duke u shfrytëzuar. Ai thotë se nuk ka më vend për pacientë të tjerë.

KALLXO.com ka provuar që të kontaktoj me Valbon Krasniqin por që i njëjti nuk është përgjigjur në telefon.