Shala: ZRrE po vihet prapë para presionit të Qeverisë për rritje të domosdoshme të rrymës

Deputeti i Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka komentuar vendimin e Qeverisë për zotim për subvencionim të energjisë elektrike në shumë prej 90 milionë euro.

Sipas Shalës, me këtë vendim, ZRRE po vihet edhe njëherë para presionit të Qeverisë së Kosovë për rritje të domosdoshme të çmimit të energjisë.

“Vendimi i fundit i Qeveris së Kosovës, për rritjen e shumës për mbështetjen e sektorit të energjisë nga 75 milionë euro në 90 milionë euro, në fakt është vërejtja e fundit për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), që të procedojë me rritjen e tarifave për çmimin e energjisë. Pra me këtë vendim ZRRE po vihet edhe njëherë para presionit të Qeverisë së Kosovë për rritje të domosdoshme të çmimit të energjisë”, ka shkruar deputeti në rrjetin social “Facebook”.

Shala thotë se pre e këtyre e vendimeve do të jenë qytetarët, të cilët, sipas  tij, që nga muaji shkurt do të presin faturat me rritje.

Të shtunën, Qeveria e Kosovës deklaroi se do të jap 90 milionë euro për subvencionim të energjisë.

Përderisa më 18 janar Ministria e Ekonomisë pati konfirmuar se do të ndajë 75 milionë euro për të zbutur ndikimin e krizës energjetike në tarifat e energjisë elektrike, pasi Zyra e Rregullatorit për Energji ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Me subvencionimin e Qeverisë, tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 centë për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Ndërsa, tarifa e ultë apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 centë është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.

Rikthehen bllok-tarifat e energjisë, konsumatorët që do të preken nga rritja e çmimit të energjisë