Hage: Seanca e Apelit ne rastin e Salih Mustafes

Salih Mustafa thotë se ndihet i pafajshëm: ZPS-ja e di që versioni i ngjarjeve të vitit 99' është ndryshe nga akuzat

Në seancën e sotme të Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë, Salih Mustafa nuk ka pranuar fajësinë për veprat për të cilat është dënuar.

Mustafa theksoi se ndjehet i pafajshëm moralisht dhe praktikisht, megjithëse juridikisht është dënuar.

“Unë kisha me thënë që praktikisht edhe moralisht, ndjehem i pafajshëm edhe pse juridikisht gjykata më ka shpallë fajtor, për shkak se jam i bindur që absolutisht asnjë vepër, për ato çka më ka ngarkuar prokuroria, që tri vite nuk i kam konsumu” – deklaroi Mustafa.

Tutje, ai gjithashtu deklaroi se është i sigurt që Zyra e Prokurorit të Specializuar e di që versioni i ngjarjeve që ndodhi në vitin 1999 është ndryshe nga akuzat e paraqitura.

“Unë jam shumë i sigurt që prokuroria i ka të gjitha provat dhe e di saktë që nuk është ashtu dhe nuk është as afër, as edhe një përqind të realitetit që ka ndodhur gjatë vitit 1999’’, – shtoi tutje Mustafa.

Salih Mustafa u arrestua dhe u dërgua në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

Pas dy vitesh gjykim, ish-komandanti “Cali” në dhjetor të vitit 2022, u dënua me 26 vjet burgim për tre akuza për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar dhe torturimin e të paktën gjashtë të burgosurve, dhe vrasjen e një të burgosuri. Ndërkaq, u gjet i pafajshëm për krimin e luftës të trajtimit mizor.

Gjykata argumentoi dënimin duke theksuar se Mustafa kishte kryer këto krime ndaj të burgosurve civilë në një qendër paraburgimi të UÇK-së në fshatin Zllash, kur ishte komandant në Zonën Operative të Llapit të UÇK-së gjatë luftës në Kosovë.

Në kundërshtim me këtë vendim, më 5 maj 2023, Mustafa dorëzoi një dosje me argumente për Apel.

Avokati i tij, Julius Von Bone, në dosjen e tij të publikuar ka shprehur dyshimet se dënimi i Mustafës është shqyrtuar në mënyrë të padrejtë, duke u bazuar në rrethanat e gabuara.

Avokati argumentoi se gjykata nuk ka respektuar rregullat ligjore, duke përfshirë edhe shkeljen e parimit të “lex mitior”, i cili duhet të aplikohet në favor të të akuzuarit.

Von Bone theksoi se, në rastin e Mustafës, dënimi nuk duhet të kalonte mbi 15 vjet burgim.

Ai gjithashtu kritikoi që gjykata nuk ka respektuar ligjet e Kosovës, duke përfshirë dhe numrin e personave që Mustafa akuzohej se i ka torturuar. Megjithatë, në vend të të gjeturit fajtor për torturimin e të paktën 6 personave, gjykata ka verifikuar vetëm dy raste ku ai është përfshirë në torturim.

Von Bone në ankesë argumentoi se gjykata gjithashtu ka bërë një gabim në peshimin e rrethanave rënduese.

Sipas aktakuzës Mustafa ishte komandant i njësitit gueril BIA i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin Gollak të Kosovës.
Salih Mustafa akuzohet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020.

Në këtë çështje janë 8 viktima pjesëmarrëse.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.