Foto: Albin Kurti, Facebook

Rritet kostoja e premtimit të Kurtit për ndërtimin e 4 mijë banesave

Një studim i fizibilitetit për projektin e Qeverisë Kurti për banim të përballueshëm e ka ekspozuar kalkulimin e gabuar të Vetëvendosjes për këtë projekt gjatë fushatës parazgjedhore.

Lëvizja Vetëvendosje kishte premtuar se do të ndërtojë 4 mijë banesa për t’iu mundësuar çifteve të reja banim të përballueshëm. Për këtë projekt është thënë se do të shpenzohen nga 22 milionë euro për çdo vit, apo 88 milionë euro për një mandat. 

Por, llogaritë e Vetëvendosjes nuk kanë dalë të sakta. 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se projekti për banim të përballueshëm do të kushtojë 200 milionë euro.

“Sipas IFC-së kosto e ndërtimit për këtë projekt është përafërsisht 200 milionë euro, që përbën njërën prej projekteve më madhore në Kosovë” – tha Albin Kurti.

Ai ka thënë se kjo shifër bazohet në një studim të hollësishëm që është bërë nga International Finance Coorporation (IFC).

“Studimi ka përfshirë së pari analizën e sektorit të banimit në Kosovë, së dyti analizën e aspektit ligjor që mundëson realizimin e projektit dhe së treti modelin financiar që mundëson të analizojmë skenarë të ndryshëm të implementimit si dhe kalkulon koston të cilën qeveria do ta bartë” – u shpreh kreu i ekzekutivit.

Projekti për banim të përballueshëm, sipas kryeministrit Kurti, është projekt unik i cili do të fillojë të zbatohet gjatë këtij viti. 

“Do të bëjmë të pamundurën që projekti që i planifikuar për ndërtimin e 4,000 njësive banesore të realizohet sa më shpejt që është e mundur” – shtoi kryeministri Kurti.

Deri më tani, ai tregoi se komunat e Prishtinës, Pejës dhe Gjilanit veçse kanë siguruar lokacionet, ndërsa pret që edhe komunat e tjera do ta bëjnë të njëjtën për implementimin e projektit.

Ai këtë përgjigje e ka dhënë pasi deputetja nga radhët e AAK-së, Albana Bytyqi, e kishte shtruar një pyetje parlamentare rreth këtij premtimi. Ajo tha se pyetjen e ka bërë vetëm sa për t’ua kujtuar qytetarëve se Kurti nuk i mban premtimet.

“Edhe 5 vjet nuk besoj që mund të arrini me i përfundu këto ndërtesa. Këtë pyetje e kam ba vetëm me e pa qytetarët që ti nuk po i mban premtimet të cilat i ke dhanë” – tha ajo.

Lëvizja Vetëvendsoje kishte premtuar ndërtimin e 4 mijë banesave të reja. Siç thuhej në programin e LVV-së për zgjedhjet e vitit 2021, përfitues të këtyre banesave do të jenë “çiftet e reja, gratë kryefamiljare, por edhe shërbyesit publikë si arsimtarët, infermierët, policët, zjarrfikësit apo edhe administrata publike”.

“Kjo do të arrihet përmes programit “120×120” dhe “150×150”, ku familjet përfituese do bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 150 muajve” – thuhej në programin e LVV-së “Prioritetet për krejt qytetarët drejt së ardhmes”. Kostoja vjetore e këtij projekti, siç parashikonte Vetëvendosje, do të kapte vlerën e rreth 22 milionë eurove në vit.

“Banimin e përballueshëm” Kurti e kishte përfshirë edhe në Programin e Qeverisë 2021-2025, të publikuar në maj të vitit 2021. Qeveria parashihte që kohëzgjatja e shfrytëzimit të banesave mos të jetë më shumë se 12 vjet e gjysmë. Pas 2 viteve qeverisje nga Vetëvendosje, ndërtimi i këtyre banesave nuk ka nisur ende.