Ajri i ndotur në Prishtinë, këto janë rekomandimet e IKSHPK-së

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se ajri në Prishtinë nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme.

IKSHPK ka kërkuar që të kenë kujdes personat e ndjeshëm.

Sipas matjeve që IKSHPK ka publikuar, në Prishtinë ajri aktualisht është i pashëndetshëm për grupe sensitive.

Tutje Instituti ka publikuar disa rekomandime  që duhet të ndiqen në raste të tilla.

Instituti ka rekomanduar që të reduktohen daljet në vendet me ajër të ndotur, në mëngjes dhe mbrëmje, sidomos personat që kanë sëmundje kronike kardiovaskulare dhe respiratore, fëmijët dhe shtatzënat.

Gjithashtu, Instituti ka kërkuar të përdoren më shumë transporti publik dhe ecja, e më pak veturat, dhe të reduktohet përdorimi në shtëpi i lëndëve të ngurta të djegies dhe gatimit, në mënyrë që të zvogëlohen emetimet.

“Të mos digjet vaj i përdorur, goma plastike, mbeturina, thëngjill, dru një të lagësht për ngrohje. Të qëndroni në shtëpi dhe mos t’i hapni dritaret për ajrosjen e dhomave kur ndotja është e lartë” – thuhet në njoftim.

Po ashtu u rekomandua që personat që duhet të dalin në aktivitetet e tyre të përdorin maska mbrojtëse ose të mbulojnë gojën e hundën me shallë.

Gjithashtu, një nga rekomandimet e IKSHPK-së është që të reduktohet pirja e duhanit jashtë ku ka qarkullim të njerëzve, e domosdoshmërisht të ndalohet pirja e duhanit brenda hapësirave të mbyllura.

Ndërsa rekomandimi i fundit është që të bëhet izolimi termik – për aq sa është e mundur – i shtëpive në zonat urbane.