Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë FOTO: KALLXO.com
Detaje nga aktakuza: E pandehura nuk ishte deklaruar në PSRK - Përpjekje për t’iu shmangur përgjegjësisë penale
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar sot, më 11.11.2025, se ka dorëzuar në Gjykatën e Prishtinës aktakuzë ndaj Rozeta Hajdarit, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit në lidhje me rastin e rezervave shtetërore të vitit 2022.
Sipas aktakuzës së PSRK-së, të cilën e ka siguruar KALLXO.com ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, akuzohet për dy vepra penale – keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhe – zbulim të fshehtësisë zyrtare.
Për këtë rast Prokuroria Speciale e kishte ftuar Rozeta Hajdarin që të japë deklaratë rreth dyshimeve se janë kryer veprat penale.
Sipas aktakuzës së PSRK-së, ministrja Hajdari është mbrojtur në heshtje kur është thirrur për t’u intervistuar në PSRK rreth rastit të rezervave shtetërore.
Klasifikimi si sekret shtetëror është dhënë si arsyetim nga ministrja Hajdari rreth thirrjeve për të dhënë deklaratë për veprat penale të keqpërdorimit dhe të zbulimit të fshehtësisë zyrtare.
Herën e parë, Rozeta Hajdari ishte thirrur më 15.04.2024 për të dhënë deklaratë rreth veprës penale – keqpërdorimi i detyrës zyrtare, kurse më 31.07.2025 është thirrur për të dhënë deklaratë për veprën penale – zbulimi i fshehtësisë zyrtare.
Por të dy përpjekjet e Prokurorisë për të marrë deklaratë nga tashmë e akuzuara, Rozeta Hajdari, nuk kanë rezultuar me dhënie të përgjigjeve pasi ajo ka shfrytëzuar të drejtën që të mbrohet në heshtje me arsyen se rasti është i klasifikuar si sekret shtetëror.
Sipas PSRK, vendimi i Qeverisë për klasifikimin e procesit të blerjes së rezervave shtetërorë të vitit 2022 si sekret shtetëror ishte bazuar në një ligj që nuk ishte në fuqi në kohë dhe përmbajtja ka qenë në kundërshtim të plotë me Ligjin për rezervat shtetërore.
Ndonëse nuk ishte deklaruar në këto dy data rreth dyshimeve që e ngarkonin, PSRK thot se ishte detyruar që ta ndërpresë seancën, duke ia bërë me dije të dyshuarës së mund të paraqitet kurdo që dëshiron në PSRK për të dhënë mbrojtjen.
PSRK ka thënë se vendimi Qeverisë për shpalljen e procesit të blerjes së rezervave si sekret shtetëror është vendim i paligjshëm dhe i pavlefshëm për shkak se është nxjerrë duke u bazuar në një ligj i cili nuk ka qenë në fuqi në kohë për shkak se ka pas ndryshime të tij.
“Për me tepër edhe përmbajtja e vendimit ishte në kundërshtim me nenin 19 dhe 20 të Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ngase përjashtohej procedura e hapur e prokurimit publik për blerjen e produkteve të rezervave shtetërore edhe përkundër faktit se aktiviteti i prokurimit për blerjen e rezervave shtetërore detyrimisht duhet të bëhej përmes procedurave të hapura të prokurimit dhe nuk konsiderohet sekret shtetëror sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave”- thot dosja e Prokurorisë Speciale.
Sipas PSRK, vendimi që të shpallet sekret procesi i blerjes së rezervave shtetërore është bërë me qëllim të fshehjes së shkeljeve ligjore, keqpërdorimeve dhe kufizimit të konkurrencës – elemente që e ndalojnë klasifikimin e informacionit.
Pretendimi i Rozeta Hajdarit se nuk do të deklarohet për shkak se procesi është sekret, ndonëse sipas PSRK vendimi për shpalljen sekret është i kundërligjshëm, përbën një përpjekje të të pandehurës për t’iu shmangur përgjegjësisë penale dhe ballafaqimit me prova.
“Bazuar në faktet e lartcekura, rezulton qartë se pretendimet e të pandehurës për të mos dhënë deklaratë të mbështetura në një vendim të paligjshëm dhe të pavlefshëm të Qeverisë, janë të pabazuara në ligj dhe fakte. Ky pretendim përbën vetëm një përpjekje të të pandehurës për t’iu shmangur përgjegjësisë penale dhe ballafaqimit me provat e paraqitura nga Prokuroria dhe për të penguar zhvillimin normal të procedurës penale”- thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.