Kryeministri sllovak, Robert Fico, Foto: REL/AP

Robert Fico do të bëhet kryeministër i Sllovakisë

Në raundin e tij të katërt të detyrës si kryeministër, shefi i partisë së majtë-populiste Smer pritet të udhëtojë në takimin e kësaj jave të liderëve të BE-së në Bruksel.

Robert Fico do të bëhet kryeministri i ardhshëm i Sllovakisë të mërkurën, konfirmoi zëdhënësi i presidentit të vendit.

“Presidenti do ta emërojë kabinetin e ri dhe kryeministrin e ri nesër në orën 14:00”, ka thënë zëdhënësi Martin Strižinec për POLITICO. Kushtetuta e Sllovakisë parashikon që presidentja, aktualisht Zuzana Čaputová, duhet ta emërojë qeverinë përpara se ajo të fillojë zyrtarisht qeverisjen.

Ky do të jetë mandati i katërt i Ficos në detyrë dhe pas dorëheqjes së tij si kryeministër në vitin 2018, pasi shpërthyen protesta masive duke kërkuar ndryshime politike pas vrasjes së gazetarit investigativ Ján Kuciak dhe të fejuarës së tij, Martina Kušnírová. Kuciak i kishte hetuar aktivitetet e mafisë italiane në Sllovaki, si dhe korrupsionin në marrëdhëniet e manjatit vendas Marián Kočner, dhe u vra për shkak të punës së tij. Fico dhe ministra të tjerë në kabinetin e tij në atë kohë dhanë dorëheqjen pasi rreth 50,000 njerëz demonstruan në rrugë.

Javën e kaluar, Čaputová refuzoi ta mbështeste mohuesin e ndryshimeve klimatike Rudolf Huliak nga partia e djathtë-populiste Slovenská Národná Srana (Partia Kombëtare Sllovake, SNS) si ministër i mjedisit. Vendimi i Ficos për të qeverisur me SNS-në e shtyu Partinë e Socialistëve Europianë ta pezullonte Smerin nga radhët e tyre, së bashku me partnerin tjetër të koalicionit, social-demokratin Hlas (Zëri).

Čaputová është pajtuar ta emërojë qeverinë, duke përfshirë Fico-n si kryeministër, pas zëvendësimit të Huliak me kandidatin e SNS Tomáš Taraba për postin e ministrit të mjedisit. Taraba, ashtu si Huliak, i sulmon në mënyrë rutinore organizatat joqeveritare dhe aktivistët mjedisorë dhe më parë ishte anëtar i neo-nazistit, ekstremit të djathtë Ľudová Strana Naše Slovensko (Partia Popullore Sllovakia jonë, ĽSNS). “Ai është thjesht një version i lëmuar i Huliak”, thotë eurodeputeti liberal sllovak Michal Wiezik për agjencinë sllovake të lajmeve SITA.

Fico gjithashtu pritet të jetë i pranishëm në takimin e Këshillit Europian të kësaj jave të liderëve të BE-së në Bruksel, sipas zëdhënësit të tij, nëse “diçka e jashtëzakonshme nuk ndodh”. Fico, i cili bëri fushatë në një platformë për t’i dhënë fund ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe për t’u bërë i ashpër ndaj migracionit, më parë shprehu dëshirën e tij për ta përfaqësuar Sllovakinë në Këshill.

Partia e majtë populiste Smer e Ficos i fitoi zgjedhjet kombëtare në fillim të tetorit me 23 për qind të votave – duke e mposhtur Sllovakinë Progresive liberale, të orientuar nga perëndimi me gati 7 pikë përqindjeje./Politico.eu

Përgatiti: Nuhi Shala