Rizvanolli nuk raporton në Komisionin për Ekonomi për ‘Trepçën’, opozita e kritikon

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nuk ka qenë prezente në Komisionin për Ekonomi, për të raportuar për grevën e minatorëve të Trepçës, tash e një javë.

Sipas kryetarit të këtij Komisioni, Ferat Shala (PDK), arsyeja e mungesës së Rizvanollit është për shkak se ajo gjendet në udhëtim zyrtar jashtë vendit.

“Të premten e kemi marrë një e-mail që është jashtë vendit. Tetë ditë grevë dhe sot ministrja nuk ka gjetë kohë me ardhë edhe pse nuk ka ardhë. Sa i përket vizitës së minatorëve ne i takojmë por do ishte mirë që të kishim takim me ministren. I bëj ftesë qeverisë të ulet dhe të dialogojë me sindikatat, t’i plotësojë kërkesat legjitime.Unë jam pro më e mbajtë takimin me punëtorët” – tha Shala.

Ndërsa deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se asnjë zyrtar nuk ka vizituar minatorët, edhe përkundër se ata janë që tetë ditë në grevë.

Lekaj ka thënë se ministrja do duhej të kthehej urgjentisht nga vizita zyrtare dhe të takohej me minatorët.

“Atëherë kur iu duhen për fushatë shkon kryeministri i takon minatorët e ju thur lavde se ju jeni heronjë  dhe sot ata injorohen dhe Trepça është para falimentimit, falë politizimit të bordeve dhe falë këtyre që skanë ndjenja. Ministrja bën hajgare e shaka dhe sot grupi i LVV-së pa u konsultu me neve i thërret punëtorët në takim me i jap kahje politike dhe është manipulim i llojit të vet” – tha Lekaj.

Edhe deputetja e LDK-së, Valentina Rexhepi – Bunjaku ka pasur kritikë për ministren, duke thënë se nuk e arsyeton asgjë mos prezenca e saj.

“Ne jemi të interesuar t’i dëgjojmë sindikalistët, por jo në këtë mënyrë dhe me i përça si Sindikatën e Arsimit. Në qoftëse ata kanë ardhë te grupi i juaj sepse ke propozim i juaj, me shumë dëshirë për me i dëgju minatorë, mirëpo po më duket i paarsyeshëm propozimi i juaj e pse nuk na kanë ardhë te ne” – ka thënë Rexhepi – Bunjaku.

Ndërsa deputetja e Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se ministrja Rizvanolli nuk ka ikur nga raportimi në Komision, por sipas saj, takimi ka qenë i organizuar me herët.

“Nuk jemi duke qeverisë me ndjenja por me fakte. Është përgjegjsi shtetërore e ato ofendimet e uljen e nivelit në diskutim është mirë me ndalë këtu e është mirë me shku me i dëgju ata. Është mirë me i dëgju ata e jo çka po i thojmë njëri tjetrit “ – tha Kusari Lila.

Që nga 24 tetori, qindra minatorë dhe punonjës të tjerë kanë hyrë në grevë.

Ata kanë premtuar se nuk do ta ndërpresin grevën pa u përmbushur tri kërkesat e tyre: Realizimi i pagës mujore me kohë (nga data 6 – 10 në fillim të çdo muaji), shkarkimi i menaxhmentit (kryeshefit) dhe sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës.

Në anën tjetër, Kryeshefi ekzekutiv i “Trepçës”, Enis Abdurrahmani, ka marrë vendim për largimin e përkohshëm nga puna të disa punëtorëve.

Fjala është për kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi, nënkryetarin Destan Kerleshi, dy anëtarët e kryesisë, Gani Osmani dhe Fevzi Ademi dhe një minator – Esat Meha.

Kryeshefi ekzekutiv i “Trepçës” merr vendim për largim të përkohshëm nga puna të disa sindikalistëve