Rënia e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës - Foto: 18.01.2024

Rënia e çatisë së Komunës, Përparim Rama kërkon nga organet kompetente që ta hetojnë rastin

Nga rënia e çatisë së objektit të ri të Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria” u lëndua një 23-vjeçare.

Gati shtatë orë pas ndodhjes së rastit, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar përmes Facebook-ut, duke thënë se ka kontaktuar me familjarët e të lënduarës dhe është lutur për shërimin e saj të shpejtë dhe të plotë.

“Sot, në objektin e Kryeqytetit në lagjen “Arbëria” për shkak të erërave të forta ka kolapsuar një pjesë e kulmit, ku për pasojë një person është lënduar dhe tani është nën kujdes mjekësor” – tha ai.

Rama shtoi se si kryetar i Komunës kërkon nga organet kompetente që të hetojnë rastin në tërësi dhe të marrin të gjitha masat dhe veprimet në pajtim me legjislacionin në fuqi.

KALLXO.com sjell pamje nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria e Prishtinës në koordinim me Policinë e Kosovës kanë njoftuar se kanë filluar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore lidhur me rastin e rënies së çatisë së objektit të ri të Komunës së Prishtinës.

Lidhur me gjendjen e të lënduarës, zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu, ka thënë se 23-vjeçarja ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe e njëjta pas ekzaminimeve do të transferohet në mjekimin intensiv qendror.