Ministri Arben Vitia dhe drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi - Foto: KALLXO.com
Ministri i Shëndetësisë e drejtori i Onkologjisë tregojnë cila është arsyeja e mungesës në QKUK të një ilaçi kundër kancerit
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi, kanë komentuar mungesën në QKUK të një ilaçi kundër kancerit, duke thënë se ndodh që ka vonesa nga kompanitë që bëjnë furnizimin me barna.
KALLXO.com ka raportuar për mungesën e produktit medicinal “Sorafenib”, dje më 19.05.2024.
Në kushte anonimiteti, familjarët e një pacienti të sëmurë me kancer në veshkë rrëfyen se ka më shumë se një muaj që ai s’e ka marrë këtë ilaç, ndonëse do duhej t’i merrte nga dy tableta në ditë.
Për shkak të çmimit të lartë të këtij ilaçi, familjarët e pacientit thanë se as nuk kanë tentuar që ta blejnë atë vetë. E kjo nuk është hera e parë, që ata përballen me këtë problem. Mungesa e këtij ilaçi është problem i përsëritur.
I pyetur se çfarë do të bëjë që këta pacientë të mos presin kaq gjatë për të marrë barnat, që shteti e ka obligim t’ua sigurojë, ministri Vitia përmendi disa prej hapave që kanë ndërmarrë për furnizim më të mirë me barna.
Ai tha se Onkologjia është e furnizuar me më shumë se 90 për qind të barnave.
“Atë çka kemi bërë nga fillimi, e kemi shtuar për më shumë se 4 milionë euro gamën e listës së barnave esenciale. E dyta, nga një përqindje jo shumë e lakmueshme më herët, tash përqindja e furnizimit me barna për të sëmurit me sëmundje malinje është mbi 90 për qind, sa u njoftova sot nga drejtori” – shtoi ministri.
E Vitia thotë se fatkeqësisht ndodh që ndonjëherë këto barna për shkaqe të ndryshme të vonohen. Por, sipas tij, menaxhmenti i Klinikës dhe i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës bën maksimumin që barnat të mbërrijnë sa më shpejt te pacientët.
Drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi, dha një përgjigje më konkrete për këtë rast, duke thënë se në tre muajt e parë ka pasur rritje të numrit të pacientëve që kanë pasur nevojë për këtë medikament.
“Një pjesë e barnave nuk ka mbërri operatori ekonomik me i liferu deri këtu. Por, kemi rritje gati për 20-25 për qind në tre muajt e parë të pacientëve të cilët kanë nevojë për këto barna, pra është tejkalu edhe parashikimi i mundshëm. Andaj dhe mund të ketë edhe vonesa nga operatorët ekonomikë. Barnat e tjera janë shumica në Klinikë” – tha Kurtishi.
Drejtori tregoi se furnizimi me të ka qenë problematik ndër vite dhe se tani tenderohet shumë më lirë sesa më parë.
“Ne shpresojmë që në gjysmën e dytë të vitit ose vitin tjetër të kemi furnizim edhe më të mirë me këtë bar, i cili ka qenë me vite të tëra problematik për arsye të kostos shumë të lartë. Edhe për arsye se numër i vogël i pacientëve, janë diku 7 ose 10 pacientë që në vit kanë nevojë për këtë lloj bari” – shtoi ai.
Për arsyet e mungesës së këtij ilaçi, Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (SHSKUK), pjesë e të cilit është Klinika e Onkologjisë dhe kompania e cila ka kontratë 1-vjeçare me këtë institucion për ta bërë furnizimin, dhanë përgjigjet e tyre.
SHSKUK tha për KALLXO.com se kompania nuk ka pasur mundësi për furnizim të plotë për një tremujor.
“Jemi furnizuar pjesërisht, andaj ka qenë e pamjaftueshme për nevojat e Klinikës sasia të cilën e kemi pranuar së fundmi. SHSKUK në pamundësi të furnizimit nga operatori paraprak ka iniciuar procedurë për kontraktim të ri dhe jemi në pritje të finalizimit të kontratës në fund të këtij muaji” – tha Dardane Mehaj, shefe e Furnizmit me Barna në QKUK.
Ndërsa, njëri prej pronarëve të kompanisë “Meditech”, e cila ka kontratën për furnizim me “Sorafenib”, Shkëlzen Fetiu, tha se ata kanë bërë furnizimin siç janë të obliguar me kontratë dhe se prodhuesi nuk ka pasur mundësi që të furnizojë më shumë.
Sipas kontratës të publikuar në faqen E-prokurimi, sasia e planifikuar për 6 muaj ka qenë 6 mijë e 586 copa, ndërsa Fetiu thotë se ata i kanë furnizuar me 7 mijë e 392 copa nga 11 tetori 2023, kur është nënshkruar kontrata.
“Sasia sipas kontratës ka qenë 6 mijë e 586 copa, deri tash janë furnizu 7 mijë e 392 copa. Kontrata është +/-30 për qind. Obligative është 70 përqindëshi i vlerës. Me këto që i kemi dërgu sasia e kontratës ka shku mbi 112 për qind. Ata kanë mujtë 1,100 me i porosit mirëpo nuk ka pasë prodhuesi” – shtoi Fetiu.
Fetiu më tej tha se më 02.04.2024 SHSKUK ka kërkuar nga kompania të dijë se sa kanë në stok këtë produkt, meqë planifikimi për tremujorin e dytë është 3 mijë e 541 copë.
“Më 2 prill na ka dërgu email duke thënë: A mund të na informoni sa keni në stoqe produktin “Sorafenib” për ta lëshuar porosinë për tremujorin e dytë të vitit sepse kontrata ka mbërritur shpenzueshmërinë 107.94 për qind, ndërsa planifikimi për këtë produkt është 3 mijë e 541 sasia” – tha ai.
Siç thotë Fetiu, ata kanë pasur vetëm 283 copë në stok, të cilat i kanë dërguar dhe i kanë njoftuar se nuk mund të sigurojnë sasinë tjetër.
Në pamundësi të furnizimit përmes kësaj kontrate, SHSKUK ka shpallur tender të ri më 26.04.2024 dhe afati për dorëzim të ofertave është i hapur deri më 20.05.2024.
As për këtë tender Fetiu tha se nuk do të mund të ofertojnë, për shkak se prodhuesi i ka njoftuar se nuk mund t’u sigurojnë mallin edhe për 5 deri në 6 muaj të tjerë.
KALLXO.com dërgoi pyetje shtesë në SHSKUK pas përgjigjeve të pranuara nga kompania.
Dardane Mehaj nga QKUK pohoi se kontrata është shfrytëzuar 100 për qind dhe tha se operatori nuk kishte mundësi që të furnizonte edhe me 30 për qind më shumë.
“Kontrata aktuale mund të shfrytëzohet +/- 30%, mirëpo Operatori Ekonomik nuk kishte mundësi të na furnizonte me një tre mujor të plotë për arsye të problemeve me prodhuesin” – shtoi ajo.
Drejtori i Onkologjisë kishte deklaruar se gjatë vitit 2023 furnizimi me barna nga lista esenciale ka qenë rreth 92 për qind.
Këtë deklaratë e pati bërë, gjatë raportimit të tij para bordit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës më 09.03.2024.