Rektori i UP-së, Arben Hajrullahu me ambasadorin e ShBA-së, Jeffrey Hovenier, Foto: UP
Rektori Hajrullahu e nderon me mirënjohje ambasadorin e SHBA-së: "Shtëpia pa miq nuk mbahet"
Rektori i ri i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, në përurimin e Institutit të Antropologjisë ia ka dhuruar ambasadorit të SHBA-së në Kosovës, Jeffrey Hovenier, mirënjohjen e “Ulpiana Festit” në trajtë të një paraje metalike të gjetur në Ulpianë.
Kështu ka njoftuar Universiteti i Prishtinës përmes një komunikate më 04.10.2024.
Sipas UP-së, rektori Hajrullahu i ka falenderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën e vazhdueshme të dhënë për arsimin e lartë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
“Faleminderit shumë shkëlqesia juaj, ambasadori Hovenier, juve personalisht dhe shtetit tuaj të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për përkrahjen e vazhdueshme ndaj sektorit të arsimit dhe Republikës së Kosovës në përgjithësi” – ka thënë rektori Hajrullahu.
UP njofton se funksionalizimi i Institutit të Antropologjisë u mundësua nga ndihma financiare amerikane në vlerë 16 mijë euro, që vitin e kaluar u dha nëpërmjet “University Support Grant”.
Më tej, thuhet se Hajrullahu ka kujtuar traditën e respektimit të miqve në Kosovë – Shtëpia pa miq nuk mbahet.
“Presidenti Historik, dr. Rugova, i cili pëlqente dhe promovonte trashëgiminë e Kosovës së sotshme nga Dardania Antike, në kohë shumë të vështira për vendin dhe njerëzit e kësaj toke, me urtësi mbresëlënëse, na rikujtonte se “Shtëpia pa miq nuk mbahet!”” – ka theksuar Hajrullahu.
Kurse, drejtori i Institutit të Antropologjisë, Arsim Canolli, ka folur për historinë e antropologjisë në Kosovë, duke përmendur mbledhësit e trashëgimisë nga Shtjefën Gjeçovi te Mark Krasniqi, pastaj Drita Statovci e deri te brezat e sotëm.
“Ekzistojnë disa breza etnologësh, antropologësh të Kosovës. Pra, ekziston një histori e antropologjisë, një evoluim e gërshetim breznor. Ka pluralizëm në mendim e në botëkuptime dhe kjo është një pasuri shtesë” – është shprehur Canolli.
Ndërsa, dekani i Fakultetit Filozofik në UP, Bekim Baliqi, ka përmendur diversitetin e kulturave dhe mendimeve.
“Jemi mbledhur këtu, jo vetëm për të festuar themelimin e institutit, por edhe për të nderuar aspekte të ndryshme të kulturave, historive dhe praktikave shoqërore” – ka thënë Baliqi.
Në fund, UP shton se në ditën e inaugurimit, përfaqësues të Institutit të Antropologjisë kumtuan nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me Universitetin e Miçiganit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Institutin e Arkeologjisë së Kosovës, ndërsa janë paralajmëruar edhe bashkëpunime të tjera.
Në anën tjetër, rektori Arben Hajrullahu ka filluar mandatin e tij në UP më 01.10.2024.