Vdekjet e punëtorëve

Raporti për aksidentet në vendin e punës - hetime të vonuara, të cekëta dhe me prova jo të detajuara

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN Kosova) ka publikuar raportin “Viktimat e padrejtësisë”, në të cilin janë grumbulluar gjetjet mbi të drejtat dhe sigurinë në punë për vitin 2023.

Të dhënat e raportit tregojnë se ekzekutivi dhe gjyqësori kanë bërë një zhvillim të vogël në adresimin e çështjeve lidhur me marrëdhënien e punës, veçanërisht tek siguria në punë pasi aksidentet me fatalitet në vend të punës vazhdojnë të rriten.

E në këto raste, kur vendi i punës rrezikohet nga pronarët e bizneseve ose nga personat që janë përgjegjës që të sigurojnë një ambient të sigurtë pune ata ndiqen penalisht nga prokuroria.

Nga ky raport rezulton se hetimet penale lidhur me këto raste janë të cekëta, të vonuara dhe nuk sigurojnë prova të detajuara për të argumentuar çështjet.

Kjo ka pasuar me dënime të buta ndaj biznismenëve duke ‘shpëtuar” me dënime me gjobë, me kusht ose rastet e dënimit me burg janë zëvendësuar me gjobë.

Nga 32 dënime të shqiptuara, në 27 raste të analizuara gjyqësore në të cilat janë trajtuar aksidente në punë, vetëm 2 raste kanë qenë me burgim efektiv për shkelësit e ligjit.

Nga këto 27 raste, rezultojnë me ngecje serioze nga organet ndjekëse duke mos dorëzuar kallëzime penale me kohë, anashkalim të dëshmitarëve në vend të ngjarjes – vendpunishte, në vendin në të cilin punëtorët kishin marrë lëndimë trupore, e në disa raste me pasoja të përhershme për shëndetin e tyre.

Numër tejet të vogël raporti shpërfaq edhe atë se sa prokuroritë e vendit kanë pranuar kallëzime penale për periudhën 2021 deri në qershorin e vitit 2023.

Nga 237 kallëzime penale të pranuara, vetëm në 131 prej tyre hetimet janë finalizuar me aktakuzë, kurse 25% e tyre janë mbyllur në mungesë provash.

Në rajonin e Gjakovës dhe Ferizajt nga 9 rastet e analizuara gjyqësore, vonesat në fillimin e hetimeve që nga pranimi i kallëzimeve penale kanë rezultuar të jenë nga 4 muaj deri në 1 vit.

“Në situata të tilla kur prokuoria ka vonesa në fillimin e hetimeve, provat e rëndësishme mund të zhduken ose dëshmitarët mund të ndryshojnë deklaratat e tyre” – thuhet në raportin e publikuar nga BIRN.

Pa vonesa në hetime nuk mbeti as Prokuroria e Prizrenit. Nga 4 rastet e analizura gjyqësore nga ngjarjet kritike që kishin ndodhur në vendin e punës deri në ngritjen e aktakuzës kishte kaluar kohë deri në 7 muaj.

Tutje, në rajonin e Gjilanit, në 3 raste analizuara kallëzimet penale nuk dorëzohen me kohë e aktakuzat shquhen me vonesa deri në 1 vit pas ngjarjes kritike.

Rajonet e Prishtinës, Pejës dhe Mitrovicës gjithashtu rezultojnë me vonesa nga organet e ndjekjes duke pamundësuar mbledhje të mirëfilltë provash dhe ndjekje të mirëfilltë sipas Kodit të Procedurës Penale.

Nga të dhënat e pasqyruara në raport, del se trendi i dorëzimit të kallëzimeve penale është në rritje, por në anën tjetër trendi i ngritjes së aktakuzave në raport me këto kallëzime është në ulje.

Raportin e plotë “Viktimat e padrejtësisë” mund ta lexoni KËTU.