Raporti i Komisionit Europian nuk i referohet si ‘terrorist’ sulmit të 24 shtatorit në Banjskë

Në raportin e Komisionit Europian për Kosovën për vitin 2023 thuhet se sulmi në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator është kriza më e rëndë që ka ndodhur në periudhën e raportimit për dialogun Kosovë-Serbi.

Në këtë raport, Komisioni Europian nuk i është referuar si ‘terrorist’ sulmit në Banjskë.

“Kriza më e rëndë gjatë periudhës së raportimit ndodhi më 24 shtator 2023, kur Policia e Kosovës u sulmua nga individë të armatosur rëndë, të cilët u zunë në mes të një operacioni të madh për kontrabandë armësh, duke lënë një oficer policie të vdekur dhe tre të plagosur. Autorët e sulmit duhet të kapen dhe të sillen menjëherë para drejtësisë dhe pritet që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm në këtë drejtim. Sulmi nuk duhet të shërbejë si justifikim për asnjërën palë për të larguar vëmendjen nga dialogu i ndërmjetësuar nga BE”- thuhet në raport.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i Bashkimit Europian, Josep Borrell, në ditën që ka ndodhur sulmi, në një bisedë me kryeministrin Albin Kurti e kishte dënuar ashpër sulmin në Banjskë duke e quajtur “sulm të tmerrshëm dhe frikacak terrorist kundër policëve të Policisë së Kosovës”.

Borrell i bën thirrje Vuçiqit për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit

Disa ditë pas sulmit, shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog, në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, tha se BE-ja pati një qëndrim shumë të qartë rreth këtij sulmi, duke e cilësuar sulm terrorist.

“Ne e klasifikuam këtë si një sulm terrorist. Gjithashtu dua të theksoj se ne e shohim qartë këtë si një gjë të papranueshme e që duhet të hetohet në mënyrë adekuate dhe autorët duhet të sillen para drejtësisë. Gjithashtu, dua të shpreh ngushëllimet për vdekjen e rreshterit Bunjaku. Ne po ashtu e respektuam ditën e zisë me ç’rast ne e ulëm flamurin e BE-së dhe unë personalisht mora pjesë në varrimin e tij”- tha ai.

Shefi i BE-së në Kosovë për sulmin terrorist në Banjskë: Autorët të dalin para drejtësisë

Ndërsa, në tetor të vitit 2023, edhe rezoluta e miratuar në Parlamentin Europian e quajti terrorist sulmin në Banjskë.

“Dënon në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e tmerrshëm dhe frikacak terrorist ndaj policëve kosovarë nga paraushtarakët e mirëorganizuar serbë në Banjskë në veri të Kosovës, i cili ndodhi më 24 shtator 2023 dhe rezultoi në vrasjen e policit kosovar Afrim Bunjaku dhe plagosja e dy policëve të tjerë kosovarë…..” – thuhet në rezolutë.

Raporti i Komisionit Europian: Sulmi në Banjskë të mos shërbejë për devijim nga dialogu

Më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit. Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa anëtarët e grupit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike, Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.