Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Foto:REL

Borrell i bën thirrje Vuçiqit për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, gjatë një bisede me kryeministrin Albin Kurti ka dënuar ashpër agresionin e sotëm në veri të Kosovës duke e quajtur “sulm të tmerrshëm dhe frikacak terrorist kundër policëve të Policisë së Kosovës”

Sipas komunikatës së BE-së, Borrell shprehu ngushëllimet e tij për familjen, kolegët dhe të dashurit e punonjësit të policisë që humbi jetën në krye të detyrës dhe u uroi shërim të shpejtë policëve të plagosur.

Sipas njoftimit, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka telefonuar edhe presidentin Aleksandar Vuçiq.

Përfaqësuesi i Lartë Borrell thuhet se përsëriti thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë dhe lirimin e pelegrinëve në Manastirin e Banjskës, që ata të largohen të sigurt.

Ai bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit.

“EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, është duke monitoruar situatën në terren dhe është e gatshme të mbështesë institucionet e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj, në përputhje me mandatin e saj dhe në koordinim të ngushtë me KFOR-in e NATO-s. Përfaqësuesi Special i BE-së për Kosovën në terren është në kontakt të ngushtë me autoritetet”- thuhet në komunikatën e BE-së.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe një tjetër i uniformuar dhe i armatosur është arrestuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë futur brenda Manastirit në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Raportimin e vazhdueshëm të KALLXO.com në lidhje me zhvillimet në veri mund t’i lexoni KËTU.