Rama paralajmëron mundësinë e formimit të një drejtorie që do trajtonte çështjen e qenve endacakë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se janë në proces të formimit të disa drejtorive të reja.

Rama ka deklaruar në një konferencë për media se po analizojnë dhe shqyrtojnë të shtojnë edhe një drejtori për Qytetin e Mençur dhe një për Sigurinë që trajton qentë endacakë.

“Për numrin e drejtorive jemi në analizë në bazë të nevojave, na duhet një drejtori për rini, po ashtu për smartcity ose Qyteti i Mençur, drejtori për Biznes që përfshin investime nga jashtë (diaspora), jemi duke shqyrtuar edhe aspektin e sigurisë, për shembull për qentë endacakë mendojmë së duhet”, ka thënë i pari i Prishtinës.

Gjithashtu, Rama njoftoi se në ditët në vazhdim do të bëjnë të ditur udhëheqësin e dikasterit të Kulturës.

Aktualisht, 11 drejtori i takojnë subjektit fitues të zgjedhjeve në krye me Përparim Ramën e LDK-së dhe 5 i takojnë partnerit të tyre, PDK-së.

Sipas marrëveshjes PDK-së i takon edhe nënkryetarja e parë. Në këtë post është emëruar Donjeta Sahatçiu.

Kurse, për nënkryetar të Komunës, LDK ka vendosur Alban Zogajn.

Ekipi qeverisës i koalicionit LDK-PDK në Prishtinë

www.kallxo.com