Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Rajoni i Ferizajt, i merren patentë-shoferët dy vozitësve për tejkalim të shpejtësisë

Vozitën më shumë se 100 km/h në zona kufizimi 50 km/h, për tre muaj dy shoferë nuk do të kenë të drejtë të vozitin, pasi që atyre Policia ua ka marrë patentë-shoferët.

Policia ka bërë të ditur që këtyre dy personave, njëri 23 e tjetra 45 vjeçare, në dy raste të ndara,  të cilët kanë shkaktuar kundërvajtje në komunikacion u ka shqipëtuar edhe gjobë, secilit nga 300 euro.

Rasti i parë ka ndodhur më datën 29 janar rreth orës orës 11:40, në rrugën magjistrale Ferizaj- Kaçanik, saktësisht në fshatin Nikaj të Kaçanikut, ku Policia ka daluar shoferin 23 vjeçar, i cili me veturë ka bërë tejkalimin e shpëjtësisë, ku në zonën e kufizimit 50 km/h ka zhvilluar shpejtësi 135 km/h . 

Foto:Policia

Ndërsa rasti tjetër ka ndodhur më 30 janar reth orës 08:24 në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime, në fshatin Koshare të Ferizajt, policia ka daluar shoferen 47 vjeçare, që  me veturë ka bërë tejkalimin e shpejtësisë, ku në zonën e kufizimit 50 km/h, ka zhvilluar shpejtësi 105 km/h. 

Foto:Policia

Në Kosovë po ndodhin raste me fatalitet si pasojë e shpjetësisë së madhe në komunikacion.

Në fund të vitit të kaluar, tre persona mbetën të vdekur nga një garë automobilistike në aksidentin në Autostradën “Ibrahim Rugova”. Sipas dosjes së Prokurorisë, dy të dyshuarit kishin lëvizur paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe.

Me këtë rast, Policia Rajonale në Ferizaj ka apeluar shoferët e automjeteve që të respektojnë shpejtësinë dhe shenjat e komunikacionit rrugor. 

“Veprimet e tilla rrezikojnë direkt jetën e tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë”- kanë bërë thirrje Policia.

Duke premtuar konfidentialitet të plotë, Policia ka bërë thirrje që për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion, qytetarët të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192, 0290/326-250 & 0290/322-406.