QUINT-i nuk ndërron qëndrim për mbajtjen e zgjedhjeve në veri

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndërruar qëndrim sa i përket çështjes së zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, që janë paraparë të mbahen më 23 prill të këtij viti.

Ndonëse herën e kaluar këto shtete patën bërë thirrje për shtyrje zgjedhjesh, tani ambasadat e QUINT-it kanë pranuar se zgjedhjet do të mbahen.

QUINT theksonte se zgjedhjet e 23 prillit do të zhvillohen në përputhje me kërkesat ligjore.

Të kontaktuar nga KALLXO.com, nga Ambasada e Francës thonë se qëndrimi i tyre për mbajtjen e zgjedhjeve në veri mbetet i njëjtë.

“Lidhur me pyetjen tuaj  ju njoftojmë se “qëndrimi i Ambasadës së Francës dhe vendeve anëtare të QUINT-it nuk ka ndryshuar në lidhje me zgjedhjet e parakohshme në katër komunat e veriut të Kosovës dhe mbetet i njejtë me atë të deklaratës së fundit të QUINT-it për këtë temë” – thuhet në përgjigjen e ambasadës franceze.

Nga Ambasada gjermane po ashtu kanë konfirmuar se mendimi i tyre për zgjedhjet në veri mbetet i njëjtë me atë të 24 marsit.

“Përveç kësaj, ne theksojmë edhe një herë mbështetjen tonë të plotë për Përfaqësuesin Special të BE-së në dialogun Prishtinë-Beograd” – janë prononcuar për KALLXO.com nga Ambasada gjermane.

Gjithashtu edhe Ambasada e Italisë edhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë thënë se nuk kanë çka të shtojnë më shumë, përtej asaj se çka është thënë një muaj më parë.

Kurse Ambasada e Britanisë së Madhe, ka theksuar se janë duke ndjekur nga afër zhvillimin e këtij procesi zgjedhor.

“Pozicioni ynë nuk ka ndryshuar që nga deklarata e QUINT-it më 24 mars”- është thënë mes tjerash nga Ambasada britanike.

Më 24 mars të këtij viti, QUINT-i përmes një komunikate të përbashkët për media patën shprehur keqardhje për vendimin e Listës Serbe që të mos marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri.

“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara pranojnë se, pas shtyrjes së zgjedhjeve komunale në dhjetor 2022, zgjedhjet për kryetar komune dhe zgjedhjet për asamble komunale do të zhvillohen më 23 prill 2023, në përputhje me kërkesat ligjore. Na vjen keq që Lista Serbe nuk e shfrytëzoi të drejtën demokratike për të marrë pjesë në këto zgjedhje” – thuhej në reagim.

Ne deklaratën e përbashkët theksohej se është thelbësore që zgjedhjet të mbahen në mënyrë paqësore dhe të rregullt, teksa QUINT-i ju bën thirrje të gjitha palëve të shmangin dhunën.

Zgjedhjet janë caktuar të mbahen më 23 prill, pas shtyrjes së tyre në dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale do të organizohen në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – pas dorëheqjeve të kryetarëve të tyre, në nëntor të vitit të kaluar.

Dorëheqjet e tyre, si dhe dorëheqjet kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, kanë qenë shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për konvertimin e automjeteve me targa ilegale serbe në RKS.

QUINT-i nuk kërkon më shtyrje të zgjedhjeve në veri, shpreh keqardhje për vendimin e Listës Serbe