QUINT-i nuk kërkon më shtyrje të zgjedhjeve në veri, shpreh keqardhje për vendimin e Listës Serbe

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë shprehur keqardhje për vendimin e Listës Serbe që të mos marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale që do të mbahen për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës, më 23 prill.

Për dallim nga hera e kaluar këto shtete patën bërë thirrje për shtyrje zgjedhjesh, mirëpo tani ambasadat e QUINT-it kanë pranuar se zgjedhjet do të mbahen.

“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara pranojnë se, pas shtyrjes së zgjedhjeve komunale në dhjetor 2022, katër zgjedhje për kryetar komune dhe dy zgjedhje për asamble komunale do të zhvillohen më 23 prill 2023, në përputhje me kërkesat ligjore. Na vjen keq që Lista Serbe nuk e shfrytëzoi të drejtën demokratike për të marrë pjesë në këto zgjedhje”- thuhet në reagim.

Ne deklaratën e përbashkët thuhet se është thellbësore që zgjedhjet të mbahen në mënyrë paqësore dhe të rregullt, teksa QUINT-i ju bën thirrje të gjitha palëve të shmangin dhunën.

“Zgjedhjet janë themeli i demokracisë. Është thelbësore të sigurohet që ato të mbahen në mënyrë paqësore dhe të rregullt. Presim që autoritetet përkatëse të veprojnë me profesionalizëm. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin dhunën, e cila mund të prishë zgjedhjet”- thuhet në deklaratë.

Zgjedhjet janë caktuar të mbahen më 23 prill, pas shtyrjes së tyre në dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Lista Serbe ka rikonfirmuar më 20 mars se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje dhe do ta mbajë këtë qëndrim derisa t’i përmbushen dy kërkesa: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tërheqja e të gjitha njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale do të organizohen në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – pas dorëheqjeve të kryetarëve të tyre, në nëntor të vitit të kaluar.

Dorëheqjet e tyre, si dhe dorëheqjet kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, kanë qenë shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Prej vitit 2013, kur është formuar kjo parti, ajo ka marrë mbi 90 për qind të votave nga komuniteti serb në pothuajse të gjitha zgjedhjet e Kosovës.

Mirëpo, misioni vëzhgues i BE-së rregullisht përmend nëpër raporte se, Lista Serbe e ka “monopolizuar jetën politike në mesin e serbëve të Kosovës”.