Foto nga një mbledhje e kaluar e Qeverisë - Foto: ZKM

Qeveria merr vendim për aderimin e Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka marrë vendim për ratifikimin e Marrëveshjes për Statusin dhe Funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se Qeveria është e përkushtuar në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur duke shtuar se në shërbim të kësaj po iniciojnë aderimin e Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICNP).

“Qeveria është e përkushtuar për të zbardhur zhdukjet me dhunë gjatë luftës. Në shërbim të kësaj po iniciojmë aderimin e Republikës së Kosovës në ICNP. Kjo nismë shton mundësinë për rritje të bashkëpunimit rajonal e më gjërë në procesin e ndriçimit të fatit të personave gjatë luftës së fundit, po ashtu rritjes së kapaciteteve të mjekëve ligjorë dhe specialistëve të tjerë”- tha Kurti.

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi tha se ky komision është një organizatë ndërkombëtare, jo pjesë e sistemit të Kombeve të Bashkuara në mandat që të siguroj bashkëpunimin e qeverive në zbardhjen e fatit të persove të zhdukur.

“Komisioni ndërkombëtar për persona të zhdukur (ICNP) është një organizatë ndërkombëtare, jo pjesë e sistemit të Kombeve të Bashkuara në mandat që të siguroj bashkëpunimin e qeverive në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, në gjetjen dhe identifikimin e personave dhe për të ndihmuar ata që ta bëjnë këtë. Komisioni e ka selinë në Hagë”- njoftoi Bislimi.

Sipas zëvendëskryeministrit, Kosova me aderimin në këtë komision, zgjeron rrjetin e organizatave ndërkombëtare në të cilat është anëtare.

“Kosova me aderimin në këtë komision, zgjeron rrjetin e organizatave ndërkombëtare në të cilat është anëtare dhe konsolidon subjektivitetin juridiko-ndërkombëtar dhe në kuadër të konkluzave të aprovuara në samitin e Londrës për Ballkanin Perëndimor ku është përkrahur ripriotizimi i çështjes së personave të zhdukur dhe është ofruar një platforme ku kryeministrat e vendeve të prekura do të mund të përtërijnë zotimet e tyre”- theksoi ai.

Bislimi tha se në Kosovë, janë të evidentuar 1,617 persona të zhdukur, prandaj sipas tij, aderimi i do të jetë shtysë e zbardhjes së fatit të tyre.

Qëndrime të ndryshme për termin e përdorur për personat e zhdukur